Buzhala: Brenda kapacitetit tim, aq sa është, jam tifoz i SBAShK-ut - NACIONALE

Buzhala: Brenda kapacitetit tim, aq sa është, jam tifoz i SBAShK-ut

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Të martën që lamë pas u publikua edhe episodi i radhës i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Ky ishte fraksioni i 26 i emisionit që po shënon rritje enorme në të gjitha platformat tona sociale.

Për ata që s'e përcollën dot gjatë javës, ua kujtojmë se temë parësore ishte përplasja mes grevistëve dhe qeverisë.

Të dyja palët edhe më tutje nuk po arrijnë ta gjejnë gjuhën e përbashkët për ta filluar mësimin, ndërsa hedhin akuza në drejtim të njëri-tjetrit.

Megjithatë autori Buzhala beson se kjo nuk është luftë vetëm kundër Rrahman Jasharit, por kundër secilit politikan, gazetar e anëtar të shoqërisë civile që merr guximin ta kritikojë partinë në pushtet.

"Nuk është veç problemi te Rrahmani. Pra këta e panë që e mytën Rrahmanin, këta e panë e shpallën të vdekur politikisht, veç biologjikisht jo...problemi është te frika që duan t’ia imponojnë secilit njeri, secilit politikan, secilit gazetar, secilit pjesëtar të shoqërisë civile, që guxon me kundërshtu partinë në pushtet", tha fillimisht ai.

Tutje, ideatori i Ditarit lexoi disa prej komenteve në një video të publikuar nga Nacionale, e ku shihej Jasharaj me sytë plot lotë, pas akuzave të eksponentit të VV-së, Elvis Hoxhës, që e akuzoi ashpër kreun e SBAShK-ut se ka qenë pjesë e partisë serbe, deklaratë për të cilën më pas vet Hoxha kërkoi falje.

Komentuesit ndërkaq, ishin të pamëshirshëm. Madje, shpeshherë edhe të pandjenjë, sepse të kritikosh një njeri të moshuar, rreth të 70-tave, edhe pse e sheh duke qarë, vërtetë është jonjerëzore.

"Qaj dhe plas. Pra, një koment për një video që ësht publikuar në Nacionale, ku Rrahman Jasharajt, pas akuzave të Elvis Hoxhës i mbushen sytë me lotë, me të drejtë, jo për vete, po për familje. Kaq është empatia e këtyre njerëzve. E asaj “dhome”. Kaq është solidariteti i këtyre njerëzve që më shumë është inteligjencë artificiale, jo inteligjencë në kuptimin e lartë, sepse ajo e tillë artificiale mundet me qenë edhe e ulët", vazhdoi Buzhala.

Ky i fundit mendon se gjithë këto komente janë të orkestruara, nga ajo "dhoma e errët" për të cilën veçse kemi raportuar edhe më parë.

"Pra, këta janë “boc”. Dikush i orkestron këta. Empatia e tyre, dashuria, solidariteti, është jonjerëzor. Nuk mundesh me pa, një burrë 70-vjeç t’u qajtë, që nuk ka kurrfarë rasti kundër tij, as në korrupsion, as në aspektin patriotik, e kanë rrah policia serbe, ka vuajtur ka dhënë mësim pa para, po mësimdhënësit kanë vendosur ta zgjedhin atë dhe t’i thonë: Na prijë ti!"

Në pjesën e fundit ndërkaq, gazetari tha se brenda kapacitetit profesional që ai posedon, aq sa është, mbështet SBAShK-un dhe sindikatat, duke thënë se kjo është një kauzë përtej shkollave, është një kauzë për të drejtën për të menduar ndryshe.

"Rrahman Jasharaj nuk është Rrahman Jasharaj. Jasharajn unë dje e dëgjova tha, le të më thonë mësimdhënësit ndale grevën, unë e ndali. Ky po e përfaqëson në mënyrën më të drejtë industrinë e tij. Përndryshe, në kapacitetin personal, aq sa është, jam absolutisht tifoz i sindikatave, tifoz i SBAShK-ut, tash me një kauzë përtej arsimit. Një kauzë përtej shkollave. Me një kauzë për të drejtën me mendu ndryshe, për me vazhdu me kultivu ndryshe, një shtet demokratik, pa diktat, pa urdhër nga lartë, ku Albin Kurti ka me tregu kush çfarë njeriu është, kush çfarë të drejta ka edhe kah po shkon shteti ynë", përfundoi ai.

Më poshtë gjeni pjesën e zgjeruar këtu, ndërsa më lartë mund ta ndiqni episodin e plotë. Shikim të këndshëm.

Lajme të ngjashme