Bushka në KiE: Nuk mund ta injorojmë kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe të shqetësohemi për tensionet atje
Klotilda Bushka, përfaqësuese (deputete) e Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës, pohoi se Kosova nuk ka ndezur kurrë armiqësi, por ka qenë bashkëpunuese në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Tutje, Bushka ka thënë se është e palogjikshme që në njërën anë të shqetësohen për tensionet në Kosovë dhe njëkohësisht, kërkesa e Kosovës për anëtarësim në KiE të mbahet në sirtar.
“Nuk mund të shqetësohemi për tensionet atje nga njëra anë dhe të mbajmë në sirtar për më shumë se tetë muaj një kërkesë të thjeshtë të paraqitur nga Kosova në këtë shtëpi. A janë kosovarët të kualifikuar për t’i merituar shërbimet e kësaj organizate apo jo. A mund t’u japim atyre një përgjigje? Dhe ky është shqetësimi kryesor sepse sa më gjatë të mbahet Kosova në derë dhe të mos lejohet të hyjë në strukturën tonë demokratike aq më të mëdha janë mundësitë që akterët e tretë të të ashtuquajturave grupe Wagner të rrezikojnë stabilitetin e rajonit tonë”, tha ajo, transmeton KosovaPress.