"Burim i praktikave klienteliste dhe nepotiste"; skandali i asamblistëve në Prishtinë shkakton valë reagimesh në opinion - NACIONALE

"Burim i praktikave klienteliste dhe nepotiste"; skandali i asamblistëve në Prishtinë shkakton valë reagimesh në opinion

1 vit më parë

nga NACIONALE

Skandali i fundi që përfshiu asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, ku përmendet emri i kryeministrit Albin Kurtit, hajnia, pronat në Badovc e akuza të tjera, pasoi me një valë reagimesh në opinion. Ndërsa Lidhja Demokratike akuzoi VV-në në Prishtinë për “përfshirje në marrëveshje të kundërligjshme dhe të pista”, Partia Demokratike rikujtoi “konsistencën sa i përket Badovcit dhe tendencës së vazhdueshme për të tjetërsuar pronat komunale”.

Shkak i përplasjes me tone të larta dukej se ishte qëndrimi i Edmond Azemit dhe Berat Lahut në sallë, duke mundësuar kësisoj kuorumin për votim të buxhetit. Kjo situatë shkaktoi përçarje mes aktivistëve me Gëzim Sveçla, Egzon Azemi dhe Ilir Kërçelin, shef i kabinetit të Glauk Konjufcës, që u kërkonin largimin nga salla.

Në video-incizimin e siguruar nga Nacionale dëgjohen biseda prej më të ndryshmeve nga përmendja e kërcënimeve, shantazhi e deri te kryeministri Kurti.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, reagoi Lidhja Demokratike e cila përmes një komunikate për media, akuzoi asamblistët e VV-së për “pazare të brendshme, të ulëta e të turpshme”.

Në reagim, LDK ka thënë se “këto praktika korruptive dhe kriminale fshihen pas fasadës së premtimeve për “ndryshim” e “transparencë”, ndërsa në realitet reflektojnë politikë të shpërdorimit, ku përfitimet personale e partiake vendosen mbi interesat e qytetarëve.”

Kjo parti e quajti “të papranueshme” që asamblistët të përfshihen në marrëveshje të kundërligjshme.

“Është e papranueshme që asamblistët, të cilët paguhen me taksat e qytetarëve, të përfshihen në marrëveshje të kundërligjshme dhe të pista, që minojnë seriozisht besimin e qytetarëve në përfaqësuesit e tyre.” – thuhet më tej.

Sipas tyre, skandali “demonstron qartazi se LVV-ja nuk është asgjë më shumë se një burim i pashtershëm i praktikave klienteliste dhe nepotiste, që dëmtojnë rëndë interesin publik.”

Në lidhje me skandalin e madh në asamblenë e Prishtinës reagoi edhe ish-drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati. Ajo rikujtoi se PDK kishte prishur koalicionin me LDK-në, sipas saj, pikërisht për çështjen e shkëmbimit të tokave komunale në Badovc.

“Me datë 23 dhjetor 2023, me propozimin dhe insistimin e Përparim Ramës si dhe me votat e Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës është mundësuar shkëmbimi i tokave komunale në Badovc. Kur afera multi-milionëshe doli në media, e kur ne bëmë të ditur qëndrimin tonë të prerë kundër këtij shkëmbimi, u ndërpre edhe koalicioni i PDK-së në Prishtinë me Përparim Ramën.” – tha ajo.

Musmurati tha se PDK-ja në Prishtinë ishte “partia e vetme konsistente sa i përket Badovcit dhe tendencës së vazhdueshme për të tjetërsuar pronat komunale dhe për t’i shndërruar ato në toka për ndërtime private.”

“Sot të gjithë jemi dëshmitarë të një videoje, ku një asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje haptazi po sinjalizon për shkëmbimet 50 milionëshe që do të ndodhnin në Badovc si pasojë e votës së përbashkët të LVV-së dhe Përparim Ramës. Shpresoj që do të kemi sinjalizim edhe për tjetërsimin e tokës komunale te Stacioni i Autobusëve, ku prap me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Rama tokën komunale e shndërroi në tokë për ndërtim privat.” – tha Musmurati më tej.

Lajme të ngjashme