Bullgarë e maqedonë në fesat me njëri-tjetrin - NACIONALE

Bullgarë e maqedonë në fesat me njëri-tjetrin

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

11 korrik 2025 – Me nota, thirrje ambasadorësh e luftë verbale janë përplasur sërish qeveritë në Shkup e Sofie.

Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut ka ftuar të premten ambasadorin bullgar në Shkup, Zheljsasko Radukov, pas deklaratës së bërë nga ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev.

Ai është ftuar për sqarime në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku edhe është njoftuar për papërshtatshmërinë e një diskursi të tillë nga një zyrtar i lartë në qeverinë bullgare.

Kjo ministri ka dënuar fuqishëm deklarimet fyese të drejtuara në adresë të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe institucioneve të Maqedonisë së Veriut.

“Deklarata të tilla, që përdorin gjuhë të papërshtatshme dhe nënvlerësojnë përfaqësuesit e një shteti sovran, përfaqësojnë cenim të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe komunikimit diplomatik”, thuhet në reagim, ku dhe është nënvizuar se presin kërkimfalje publike nga Sofia.

“Deklaratat nuk kontribuojnë në avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe janë në kundërshtim me frymën e bisedimeve konstruktive dhe respektit të ndërsjellë që duhet t’i prijë bashkëpunimit mes dy vendeve”.

Ndërkohë, vetë kryeministri Hristijan Mickoski nuk ka kursyer nga sulmet kryediplomatin bullgar, të cilin e krahasoi me një mi që e ngacmon luanin.

“Paj, nuk do ta komentoja atë fëmijë. Ju bëj thirrje edhe juve mediave – lërëni rehat djalin. Kjo është një qeveri që drejtohet nga dikush tjetër në hije. Ata i thanë se çfarë duhet të bëjë, ia dhanë si detyrë: ‘Shko, fillo tani ndonjë provokim’. Është si miu që e ngacmon luanin”, ka thënë Mickoski për Georgievin i cili e kishte quajtur atë “kryeministër maqedonoverior”.

Kjo ka bërë që të reagojë edhe Ministria e Jashtme e Bullgarisë, e cila ka theksuar se deklarata e Mickoskit është e papërputhshme me normat elementare të dialogut diplomatik e politik, ashtu sikurse edhe parimet e fqinjësisë së mirë.

“Ministria e Jashtme bullgare dënon prerazi gjuhën e papranueshme dhe ofenzive të përdorur nga zoti Hristijan Mickoski në adresimin e tij karshi ministrit të Jashtëm bullgar. Përdorimi i përsëritur i mbiemrave vulgarë karshi përfaqësuesve të shtetit bullgar jo vetëm se minon besimin tashmë të brishtë mes dy vendeve, por edhe e vë në pikëpyetje përkushtimin autentik të udhëheqësisë politike në Maqedoni ndaj Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit, ashtu sikurse edhe dëshirës së shpallur për t’u anëtarësuar në BE – një proces që kërkon respekt të ndërsjellë, përgjegjësi dhe pjekuri politike”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme bullgare. /Nacionale/

Lajme të ngjashme