"Brengosemi për rreziqet e politizimit": Zyrtari evropian i thotë Kurtit të punojnë për reformat në administratë publike
Një tjetër zyrtar evropian i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të punohet më shumë rreth reformave në administratë publike, gjë që ka ndodhur gjatë takimit të dhjetë të Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Vassilis Maragos, shef i Njësisë në Komisionin Evropian ka thënë se kanë brenga sa i përket rreziqeve për politizim, derisa shtoi se janë të gatshëm të punojnë me Qeverinë e Kosovës.
“Do të doja të veçoja reformat në administratë publike, sa i përket ligjit të miratuar para pak kohësh, do të doja ta përshëndes zotimin e Qeverisë, por kemi shpresë dhe disa brenga sa i përket rreziqeve, por edhe parimeve dhe rreziqeve për politizim kur flasim për rekrutimin, po ashtu jemi të brengosur nga ndikimi të cilin disa prej këtyre reformave mund të kenë në institucionet kyçe. Jemi të gatshëm të punojmë me ju se si të zbuten këto.” – tha ai.
Tutje, z.Maragos shtoi si vijon: “Ligji për pagat ka për synim të racionalizojë pagat në sektorin publik dhe ta ofrojë një rritje të pagave në sektorin publik për të kompensuar koston e jetesës, konsiderojmë që masa në nivel fiscal është e respektueshme dhe i respekton rregullat, por jemi të brengosur nëse kjo masë është fiskalisht…do të mund të ndikonte në kapacitetet dhe mbajtjen e stafit profesional ose pavarësinë e organeve…”
Vlen të theksohet se të njëjtën çështje e ngriti para disa ditësh edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili tha se “BE-ja nuk pajtohet” me mënyrën se si Qeveria ka zgjedhur të shqyrtojë ligjin për zyrtarët publikë.
“Ligji për zyrtarët publikë ndërlidhet me parimet e administratës publike, ne ndajmë të njëjtin objektiv për të ngritur kapacitete…megjithatë, BE-ja nuk pajtohet me mënyrën se si qeveria ka zgjedhur të shqyrtojë këtë ligj dhe më vjen keq të them që komentet që ka bërë BE dhe SIGMA, asnjëra nga to nuk është marrë parasysh nga qeveria apo parlamenti. Ligji, zyrtarët publikë i vendos ata në një rrezik të korrupsionit dhe ndikimit politik. Edhe pse ka disa boshllëqe, asnjë rekrutim nuk është bërë që dy vjet dhe besojmë që ligji i ri nuk do të krijojë kushte atraktive për të rekrutuar njerëz në këto pozita të lira.” – deklaroi ai.
