“Bravo deputete”, “e fëlliqtë kombin”: shpërthen homofobia në videon ku Duda Balje flet kundër LGBTQI+
Për muaj të tërë, gazetari Vullnet Krasniqi ka tentuar të takojë deputeten Duda Balje. Dhe sot, më datë 1 mars, Krasniqi në hollin e Kuvendit ia ka shtruar disa pyetje Baljes në lidhje me temën e projekt-kodit civil e bashkëjetesës së seksit të njëjtë, të cilën ajo e kundërshton.
Arsyetimi i saj, pra i deputetes Balje, vazhdon të jetë i njëjtë, duke theksuar se beson në një “familje tradicionale” në mes burrit dhe gruas. Përkundër arsyetimeve të saj, që lehtësisht mund të cilësohen si homofobe (të cilën gjë në fakt Balje e mohoti, ashtu siç bëjnë të gjithë homofobët), Balje ka marrë shumë komente përkrahëse në videon e publikuar nga gazeta Nacionale.
Ndër komentet më të shpeshta ishin përgëzimet e qytetarëve për deklarimin e Baljes.
“Të lumtë Duda Balje” – ishte mendimi i një qytetari.
“Bravo deputete, shumë sakt jeni në mendimin tuaj” – shkroi një tjetër.
E disa komentues kaluan edhe në homofobi, duke mallkuar komunitetin LGBTQI+.
“O zoti ju vraft po lene ket punë o "njerz"se e flliqt kombin shqipëtar (sic)” – shkroi një lexues në videon e Nacionales.
“Respekt për Duta mos e ndegjo ket se ky ësht shok i sheitanit (sic)” – ishte një koment ofendues ndaj gazetari Krasniqi.
Kujtojmë që çështja e projekt-kodit civil ishte bërë mollë sherri në Lëvizjen Vetëvendosje, duke çuar edhe në një plasaritje mes deputetëve konservator dhe VV-së, pasi të njëjtit votuan kundër kësaj nisme të Qeverisë Kurti.
Ndryshe, ministrja Albulena Haxhiu, e ka konfirmuar se projekt-kodi civil do të shkojë sërish në Kuvend, për një votim të ri, duke theksuar se tashmë i kanë votar për këtë nismë ligjore.
“Besoj që shumë shpejtë do ta procedojmë në Kuvendin e Kosovës. Kësaj radhe kodi civil do të kalojë në Kuvend për faktin se është dokument i rëndësishëm. Kemi pasur takime me deputetët, marrë parasysh rëndësinë e kodit civil besojmë që kodi civil kësaj radhe do të miratohet në Kuvendin e Kosovës.” – deklaroi ajo kohë më parë.