BQK i jep tri opsione Serbisë se si t’i kryejë pagesat për serbët, ia nis propozimet edhe BE-së - NACIONALE

BQK i jep tri opsione Serbisë se si t’i kryejë pagesat për serbët, ia nis propozimet edhe BE-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Banka Qendrore e Serbisë nuk i është përgjigjur thirrjeve/propozimeve të Bankës Qendrore të Kosovës – pas ndalimit të valutës serbe (dinarit) si mjet i ligjshëm pagese – por opsionet/propozimet, tri sosh të saj, BQK-ja ia ka nisur Bashkimit Evropian.

Kjo në dritën e një takimi në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, që u konfirmua fillimisht nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, e më pastaj edhe nga palët si dhe vetë BE-ja.

BQK, siç raportoi gazeta “Koha”, i ka dërrguar “tri opsione” BQS-së dhe BE-së, në lidhje me atë se si shteti serb do të mund të kryente pagesat te komuniteti serb i Kosovës në euro.

Opsioni i parë në atë që BQS-ja t’i dërgojë fonder në kanal të drejtpërdrejtë te BQK-ja, dhe që më pastaj BQK-ja të bëjë shpërndarjen e tyre në euro te xhirollogaritë e përdoruesve individualë.

Opsioni tjetër: që BQS-ja t’i transferojë pagesat në një bankë ndërkombëtare në të cilën edhe BQK-ja ka llogari, dhe që mëpastaj BQK-ja të mund të bëjë distribuimin e pagesave te përdoruesit serbë të Kosovës në euro.

Opsioni tretë shkon në atë të nivelit të bankave komerciale – siç kishte qenë rasti me bankën komerciale NLB.

Qeveria kosovare – gjer më tash në diskursin publik – ka mohuar se çështja e rregullores së BQK-së mund të bëhet temë e dialogut në Bruksel, me kreun e qeverisë, Albin Kurti, duke thënë se çështja e dinarit “është e panegociueshme”; por që, megjithatë, më 19 mars, është konfirmuar e kundërta.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë më të rreptët ndaj qeverisë kosovare – jo në legalitetin dhe legjitimitetin e vendimit, por në etikën e zbatimit – duke i akuzuar të fundët se nuk kanë marrë në konsideratët dëmet që shkaktohen te pjesët më të cënueshme si invalidët, personat me aftësi të kufizuara, studentët (serbë) etj.

Gabriel Escobar njoftoi se Kurti ka refuzuar propozimet e tij për një zgjidhje të përkohshme të çështjes së dinarit, dhe pezullimit e vendimit si të tillë.

Ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi ka zhvilluar takime me guvernatorin e BQK-së, por është shprehur se ndonëse në nivelin teknik bisedimet ishin të mira; aty mbeten edhe një sërë çështjesh dhe përgjigjesh politike të cilat duhet adresuar.

Serbia – në anën tjetër – ka hapur degë të Bankës së Kursimeve Postare matanë pikave kufitare si Jarinja, Brnjaku, Konçuli dhe Merdarja, në kontenjerë, në mënyrë që serbët t’i marrin pagat në dinarë.

Lajme të ngjashme