"BPV-ja është 7 herë më e lartë se në vitin 2000": Si e sakrifikoi Kurti narrativën e famshme të 'shkatërrimit 20-vjeçar' - NACIONALE

"BPV-ja është 7 herë më e lartë se në vitin 2000": Si e sakrifikoi Kurti narrativën e famshme të 'shkatërrimit 20-vjeçar'

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Me zgjedhjet në horizont, retorika e çuditshme e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në interpretimin e statistikave të shtrira në kontekste kohore groteske po bëhet gjithnjë e më e theksuar. Së fundmi, në sagën e fryrjes së narrativës nga pushteti për zhvillim ekonomik të paprecedentë gjatë katër viteve të fundit, Kurti shkoi deri aty sa të krahasojë Bruto Produktin Vendor aktual të Kosovës me atë të vitit 2000.

Gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës të hënën, kryeministri Kurti nisi fillimisht mburrjen me rritjen “50 për qind të buxhetit” krahasuar me vitin 2021 ndonëse foli pak rreth efektivitetit në shpenzimin e tij.

“Së fundmi miratuam buxhetin për vitin 2025, dhe të gjithë ju e dini që buxheti për vitin e ardhshëm është 50 për qind më i lartë se sa buxheti që kemi gjetur në vitin 2021. 2.4 miliardë është buxheti i vitit të parë të qeverisjes sonë, ndërkaq për vitin e ardhshëm do të jetë 3.6 miliardë. Pra, fiks 50 për qind më i lartë.” – tha Kurti.

Kreu i qeverisë evitoi krahasimet me dinamikën e realizimit të investimeve kapitale, si një nga treguesit kryesorë të zhvillimit ekonomik të një vendi.

Kjo pasi gjatë qeverisjes së Kurtit, Kosova përjetoi nivele të paprecedenta të nënperformancës se realizimit të investimeve në periudhën 2021-2024, krahasuar me vitet 2014-2019.

Kur radha i erdhi rritjes së Bruto Produktit Vendor të Kosovës, Kurti e vendosi në perspektivë Kosovën e shekullit të kaluar, vetëm për të deklaruar se BPV-ja aktuale e Kosovës është shtatë herë më e madhe se ajo e vitit 2000.

“Bruto Produkti Vendor i vendit tonë, për këtë vit, është 7 herë më i lartë se sa në vitin 2000, që është viti i parë pas çlirimit. Natyrisht që s’krahasohemi më 1999-ën për shkak të gjenocidit dhe shkatërrimeve të luftës.”

Kryeministri madje sakrifikoi edhe narrativen e tij të famshme të “shkatërrimit 20-vjeçar.”

“Ndërkaq krahasuar me vitin 2008, ekonomia është tri herë më e madhe se sa atëherë. E krahasuar me vitin e parë para-pandemik (2019), është 50 për qind më e madhe. Pra, më shumë liri më shumë demokraci, më shumë të drejta është edhe më shumë ekonomi”

"Unë besoj që rritja që kemi pasur si ekonomi, është duke iu falënderuar sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit në masë të konsiderueshme.” – deklaroi Kurti.

Lajme të ngjashme