Borrell ia kthen letrën Kurtit: Nuk adreson elementet kyçe për deeskalim të situatës
Josep Borrell, shef i diplomacisë së BE-së, i ka kthyer përgjigje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me propozimin e tij pesë pikësh në lidhje shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Peter Stano, zëdhënës i BE-së, ka publikuar letrën, e cila është dy faqe e gjatë.
Në letrën e publikuar, Borrell fillimisht e vlerëson pranimin e Kurtit se duhet të shtensionohet situate në veri. E pas fjalëve kurtuazie, Borrell ka ritheksuar elementet që duhet të plotësohen nga Qeveria e Kosovës për shtensionimin e situatës, të cilat janë dakorduar nga BE-ja dhe ShBA-ja, e që sipas Borrellit ende janë valide.
"Si hap i parë, katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës duhet të përkohësisht të punojnë nga lokacione tjera e që nuk janë ndërtesat e komunave. Kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit aktualisht e kanë përfillur kërkesën. Ne besojmë që edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, të cilët i përkasin partisë tuaj, të ndjekin këtë kërkesë. – thuhet në letër ndër të tjera.

Tutje, në letrën e tij, Borrell ka kërkuar suspendimin e menjëhershëm të operacioneve policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës.
“Njësia speciale e Policisë duhet të tërhiqet. Paralelisht ne jemi duke kërkuar edhe nga Serbia mbështetje për tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona. Pas shtensionimit të situatës ne jemi të gatshëm të diskutojmë aranzhimet e sigurisë me KFOR-in në katër komunat.” – thuhet më tej në letër.
Në këtë letër të gjatë dy faqe, Borrell ka ripërsëritur kërkesën për zgjedhje të reja në veri të Kosovës.

"Ne gjithashtu kemi kërkuar për zgjedhje të parakohshme sa më shpejtë që është e mundur në katër komunat veriore, dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe ia kemi bërë të qartë këtë kërkesë presidentit serb, Vuçiq. Bazuar në legjislacionin e Kosovës, janë disa mënyra për mbajtjen e zgjedhje të reja." - shkruhet në letrën e Borrellit.