Borrel e vlerëson pozitivisht qëndrimin e Vuçiqit për propozimin e BE-së për dialogun
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka pritur në takim ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në Bruksel.
Borrell para Daçiq ka thënë se e ka mirëpritur qëndrimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, rreth propozimit evropian që parasheh rrugën përpara në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti nevojën për të kapërcyer menaxhimin e përhershëm të krizës, dhe për këtë arsye priste angazhim konstruktiv në propozimin e fundit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Ai e ka vlerësuar pozitivisht ndërhyrjen publike të Presidentit Vuçiq për këtë çështje dje”- thuhet në njoftimin e Bashkimit Evropian.
