Borë e madhe në zonat malore të Shqipërisë, bllokohen rreth 200 vetura në rrugën e Arbërit
Ulja e temperaturave ka kapluar edhe Shqipërinë, me zonat malore që janë mbuluar më borë dukë shkaktuar probleme të shumta në lëvizjen e automjeteve dhe furnizim me energji.
Sipas mediave shqiptare, si pasojë e reshjeve të borës, by pass-i në Qafën e Murrizit në rrugën e Arbërit, është bërë i pakalueshëm duke lënë të bllokuara rreth 200 vetura. Është bërë e ditur se edhe pse po punohet për hapje të rrugëve, reshjet intensive nuk janë duke lejuar zhbllokimin dhe kalimin e mjeteve.
Në anën tjetër, njoftohet se edhe në rrugën Peshkopi-Lurë, trashësia e borës ka arritur në 20 centimetra, ndërsa për shkak të rënies së ortekëve të borës, rruga drejt Thethit është bërë e pakalueshme.
Megjithë situatën, Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në vend, ka bërë të ditur se nuk ka problematika të tjera të theksuara.
“Niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre. Hidrovoret janë në gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje. Situata e emergjencës në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë është nën kontroll”.
Përveç bllokimit të rrugëve, mediat shqiptare kanë njoftuar edhe për probleme me energji elektrike, duke bërë të ditur se rreth 3,200 persona kanë mbetur pa energji.
