Bllokadat në kufij, Osmani kërkon reagimin e aleatëve: Të dalin me qëndrim lidhur me këto shkelje
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar shtetin serb për bllokimin e rrugëve në afërsi të kufirit më Kosovën.
Ajo ka bërë me dije se kjo tregon se Serbisë nuk i intereson lëvizja e lirë.
“Serbia edhe njëherë po tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, nuk i intereson fqinjësia e mirë. Përkundrazi, ajo po vazhdon t’i shfrytëzojë bandat kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe lëvizjes së lirë”, ka thënë ajo.
Sipas sa, qëllimi i këtyre bllokadave është ngritja e tensioneve.
“Edhe këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, në mënyrë të veçantë kanë tentuar t’i terrorizojnë qytetarët tanë të cilët dëshironin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare, kanë vetëm një qëllim: të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovës dhe gjithë rajonin dhe në të njëjtën kohë e tregojnë lidhshmërinë e drejtpërdrejtë të shtetit serb me bandat kriminale, sepse siç e dini që policia serbe ka qenë aty dhe të gjitha këto krijime kanë ndodhur para syve të tyre që edhe tregojnë bashkëveprimin e shtetit serb me këto organizata që vazhdimisht i kontribuojnë destabilizimit të vendit tonë”, është shprehur presidentja.
E para e vendit ka kërkuar nga aleatët që të reagojnë në lidhje me këto bllokime, të cilat po e pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“I bëj thirrje aleatëve tanë që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilët po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe të cilët kanë tendencë që ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan”, ka thënë Osmani.