Blinkeni e thirri dhe falenderoi Vuçiqin, ambasadori kosovar tregonte zorin për t'u bërë një bisedë telefonike
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka telefonuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe e ka falenderuar për atë që e ka quajtur “angazhim konstruktiv”. Por, kjo bëhet shqetësuese kur lexojmë fjalët e ambasadorit tonë në Washington DC për ministren Donika Gërvalla.
Fillimisht, ta lexojmë mirë atë që tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken për telefonatën me presidentin serb.
“Fola me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiqin sot për ta falenderuar për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin e ShBA-ve dhe BE-së (pesëshja e emisarëve ndërkombëtarë) javën e kaluar dhe për hapjen e tij ndaj propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, që është thelbësore për t’i siguruar Serbisë të ardhme evropiane,” – ishin fjalët e Sekretarit Blinken.
Pra, nga kjo fjalë mësojmë që qëllimi i bisedës së Blinkenit me Vuçiqin ishte “falenderimi” i tij për konstruktivitetin e treguar në procesin e dialogut, më specifikisht për çështjen e planit evropian (franko-gjerman).
Për fat të keq, një gjë e tillë bëhet edhe më e rëndë kur kujtojmë fjalët e ambasadorit Ilir Dugolli shkruar për ministren Donika Gërvalla Schwarz e që janë raportuar nga Nacionale.
Dugolli në pjesën përfundimtare shprehej që një opsion në lidhje me vizitat mbetej “riaktualizimi i kërkesave për biseda telefonike me Sekretarin Blinken dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare Sullivan, që, sikurse në rastet e takimeve me ta, do mund të realizohet përmes presionit të njëkohshëm nga të dy ambasadat – e ShBA në Prishtinë dhe e RKS në Uashington.”
Përveç që nuk ka falenderim, Kosovës në fakt po i bëhet presion më i madh se asnjëherë tjetër në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Pas takimit të 31 janarit për modalitetet e Asociacionit, Euronews Serbia kishte raportuar se ShBA-ja kishte kërkuar nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës që të mos e vendosnin në agjendë aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e saj.
Mirëpo, gjërat shkojnë edhe më poshtë dhe sqarohen në bazë të asaj që kishte shkruar ambasadori Dugolli në raportin ku kishte treguar edhe për “trajtimin brutal”.
“Qoftë edhe pa mungesat e tjera që në rastin e Ambasadës tonë janë të pranishme, mosangazhimi i përkrahjes së jashtme në Uashington është luks të cilin pakkush mund t’ia ofrojë vetes. Me zbehjen pozicionit tonë gjeopolitik gjatë tetë viteve të fundit, krahas shpërbërjes së bërthamës më të mirë lobuese që kemi pasur në Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, fushatave agresive nga Serbia, angazhimi i përkrahjes së jashtme është më se i nevojshëm.”
Ose, edhe pjesa tjetër:
“Pas adresimit zyrtar të kërkesës gjashtë muaj më parë në vazhdimësi është ngritur riaktualizuar kjo kërkesë. Nga autoritetet amerikane kemi arritur të kemi një gjysëm-zotimi për të mbajtur takim gjatë vitit të ardhshëm, përkundër ngurrimit të dukshëm. Pas zhvillimit të muajve të fundit, sa herë që kemi riaktualizuar këtë kërkesë pala amerikane ka mbajtur qëndrim më negativ se zakonisht.”
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka nënkuptuar si shantazh në një intervistë presionin ndërkombëtar.
