Blinkeni dhe Lavrovi pritet të përplasen sot në Indi në takimin e Grupit G20
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, pritet të qëndrojnë të mërkurën në New Delhi të Indisë për një takim të Grupit G20, raporton agjencia AFP.
Lufta në Ukrainë dhe tensionet e Shteteve të Bashkuara me Kinën pritet që t’i lënë nën hije përpjekjet e organizatores, Indisë, për të bërë unitet në mesin e ekonomive më të mëdha të botës, raporton gazeta “The Guardian”.
Nuk pritet që kryediplomatët e ShBA-së e Rusisë të mbajnë takim mes vete. Blinkeni dhe Lavroni nuk kanë qenë në të njëjtën sallë që nga korriku i vitit të kaluar, kur u mbajt një takim i Grupit G20 në Bali, sipas zyrtarëve perëndimorë, kur Lavrovi e kishte lëshuar sallën.
Ministri rus arriti të martën vonë në Indi, shtet që nuk e ka dënuar luftën, dhe do ta shfrytëzojë praninë e tij në këtë takim për ta kritikuar Perëndimin, sipas Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Vendet perëndimore duan që “të marrin hak për zhdukjen e pashmangshme të levave të mbizotërimit nga duart e tyre”- thuhet në deklaratën e ministrisë ruse, të publikuar në gjuhën angleze.
“Politika destruktive e ShBA-së dhe e aleatëve të saj tashmë e ka vënë botën buzë katastrofës, ka nxitur kthim prapa në zhvillimin socio-ekonomik dhe seriozisht e ka përkeqësuar situatën e vendeve më të varfra”- thuhet më tej në deklaratë.
