Blinken ua bëri të qartë Kurtit dhe Vuçiqit se plani trepikësh i BE-së është rruga më e mirë përpara - NACIONALE

Blinken ua bëri të qartë Kurtit dhe Vuçiqit se plani trepikësh i BE-së është rruga më e mirë përpara

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të hënë ka folur përmes telefonit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Temë diskutimi ka qenë situata në veri të Kosovës dhe shtensionimi i saj.

Sekretari Blinken ka kërkuar edhe nga Kurti edhe nga Vuçiqi që të de-eskalohet situata në veri, si dhe ja ka bërë të qartë që SHBA-ja mbështet tri pikat e BE-së për të dalë nga kriza.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog, janë tri pikat e ndërkombëtarëve.

Edhe pse Kurti kishte propozuar një plan tjetër për situatën në veri, Blinken ia ka bërë të qartë atij se plani trepikësh i BE-së është rruga përpara.

Sot fola me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, për të bërë thirrje për de-eskalim në veriun e Kosovës dhe për kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara.” – ka thënë Blinken.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se e ka falënderuar SHBA-në për ndihmën ndaj Kosovës.

Kurti ka thënë se me Blinkenin ka diskutuat për situatën në veri dhe për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë.

Më tej, ai ka thënë se me Blinkenin janë pajtuar që të qëndrojnë në kontakt në vazhdim.

Kënaqësi të flisja me sekretarin Blinken përmes telefonit sot. E falënderova për përkrahjen e pamasë që ShBA-ja ia ka dhënë vazhdimisht Kosovës. Diskutuam për situatën në veri dhe për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë. U pajtuam që të qëndronim në kontakt në vazhdim.” – ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërkohë, në njoftimin e Zyrës së Kurtit janë dhënë më shumë detaje për bisedën e Kurtit me Blinkenin.

Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte.” - thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Blinken i ka thënë Vuçiqit që kanë mirëpritur lirimin e tre policëve kosovarë.

Më tej, Blinken edhe Vuçiqit i ka bërë të qartë që SHBA-ja e përkrah propozimin tre pikës të BE-së për veriun.

Bisedova me presidentin serb, Vuçiq, sot për ta nënvizuar rëndësinë e de-eskalimit të menjëhershëm të tensioneve. Ne e mirëpresim lirimin e oficerëve të policisë së Kosovës dhe vazhdojmë që fuqishëm ta përkrahim planin trepikësh të BE-së si rruga më e mirë përpara.” – ka thënë Blinken.

Kujtojmë se këto biseda po bëhen tash kur tre policët e Kosovës të kidnapuar nga Serbia janë liruar nga paraburgimi.

Mbetet të shihet se a do të pranohet plani trepikësh nga Kosova e Serbia për të shtensionuar situatën në veri e cila është e tensionuar që nga 26 maji.

Lajme të ngjashme