Kurti e takon sekretarin britanik, i han do “flakaresha” edhe prej tij - NACIONALE

Kurti e takon sekretarin britanik, i han do “flakaresha” edhe prej tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverly, me të cilin ka diskutuar situatën në veri të Kosovës. Sipas njoftimit të Foreign Office, sekretari britanik ka theksuar nevojën për shtensionim të situatës në këtë pjesë të Kosovës, duke i kërkuar Kurtit të bëjë hapa drejt arritjes së de-eskalimit të gjendjes në veri.

Në kërkesat e tij për shtensionim të situatës, sekretari britanik ka theksuar edhe sigurimin që kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës të punojnë nga lokacione alternative, tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë nga objektet e komunave dhe zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse në katër komunat në veri.

“Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar në të ardhmen e saj si shtet i pavarur, multietnik në një regjion të qëndrueshëm dhe prosperues.” – theskoi sekretari britanik në takimin me Kurtin.

Tutje, siç njoftohet në nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuara, sekretari Cleverly ia ka bërë të qartë Kurtit se tensionet i vënë në pikëpyetje arritjen e Kosovës.

Çka tha Kurti për takimin?

Ndryshe, kryeministri Kurti, ka udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar në një vizitë të paparalajmëruar dyditore. E shefi i ekzekutivit tregoi në Twitter për takimin me sekretarin Cleverly, duke shkruar se ishte kënaqësi e madhe takimi me sekretarin britanik.

"Një kënaqësi e madhe për të takuar Sekretarin e Jashtëm James Cleverly sot në Londër. E falënderova për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar. Theksova gjithashtu se RoL do të jetë parimi ynë udhëzues në adresimin e sulmeve ndaj KFOR-it, policisë dhe gazetarëve dhe në përgatitjen për zgjedhje të reja." - shkroi Kurti në Twitter.

Për takimin me sekretarin Clevery, ka njoftuar edhe Zyra e kryeministrit Kurti. Në njoftim thuhet se Kurti ka biseduar me Cleverlyn për situatën në katër komunat në veri.

"Në takim u fol për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë dhe fushat në të cilat ato mund të forcohen e thellohen." - thuhet aty.

Tutje, në njoftimin e Zyrës, theksohet se Kurti e ka njoftuar sekretarin Clevery për propozimin e tij për shtensionimin e situatës në veri.

Zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës dhe situata në katër komunat në veri të vendit ishin po ashtu temë e këtij takimi. Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Cleverly me propozimin e tij për shtensionimin e situatës, duke theksuar se sundimi i ligjit është parimi bazë për adresimin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë ditëve të tensionuara në ato komuna dhe që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në po ato komuna, e të cilat duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të lira e demokratike dhe me fushatë të hapur dhe fer.” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Lajme të ngjashme