Bislimi thoshte që janë parë "1 herë në 50 vjet", nipi i tij me pasuri marramendëse: Mbi 1 milion euro veç prona - NACIONALE

Bislimi thoshte që janë parë "1 herë në 50 vjet", nipi i tij me pasuri marramendëse: Mbi 1 milion euro veç prona

1 vit më parë

nga NACIONALE

Me 58 vota për, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, sot e zgjodhën kryetar të Bordit të KOSTT-it, Gëzim Tosuni, nipin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Për të njëjtin, ishte raportuar gjatë në media, i cili fillimisht ishte emëruar si anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke qenë edhe anëtar në këshillin Shtetëror për Njohje të Diplomave në NARIS/MASHT. Më poshtë, gjeni pasurinë e tij të madhe, të cilën e kishte raportuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Tosuni në deklarimin e tij të pasurisë për vitin 2024, kishte deklaruar se mban dy pozita, një në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, dhe një tjetër në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Ai po ashtu, kishte deklaruar se punon edhe si “ekspert” në një institucion privat të quajtur “Net Broking House L.L.C.”.

Tri banesa, dy garazha, depo, shtëpi, oborr, tre pyje, një arë e një livadh, janë disa prej pronave të paluajtshme të Tosunit, të cilat me një llogaritje, del se kapin vlerën e 1 milion e 118 mijë e 168 euro.

Si pasuri ta luajtshme, ai ka deklaruar dy vetura në pronësi të tij, njëra 38 mijë e 500 euro, e tjera 10 mijë euro.

Tosuni, i cili mbante dy pozita në punë të shtetit, ka treguar se zotëron aksione në dy kompani, në njërën 60.33 për qind, vlera në euro, 55 mijë e 959. Në tjetrën, ai i ka 100 për qind të aksioneve, apo 10 mijë euro.

I njëjti po ashtu ka treguar se ka edhe para të gatshme e detyrime financiare.

Të dhëna vjetore, ai ka deklaruar 410 euro si meditje nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, 16 mijë e 200 euro, pagesë nga “Net Broking House L.L.C”, 2 mije 731 euro nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, honorare në vlerë të 2 mijë e 500 euro nga “BE Berlin Economics GmbH”, 13 mijë e 691 euro pagë vjetore nga universiteti “Kadri Zeka” dhe 440 euro subvencione nga Qeveria e Kosovës në pronësi të bashkëshortes.

Agjencia Kundër Korrupsionit, kishte detyruar Tosunin të japte dorëheqje nga pozita si anëtar i Këshillit Shtetëror për Njohje të Diplomave në NARIS/MASHT, kjo për shkak të konfliktit të interesit.

‘’Z. Tosuni, si zyrtar i emëruar në organin shtetëror (anëtar i KSHLINJ-së) në kuadër të MASHTI. nuk mund të jetë njëkohësisht edhe anëtar i KSHC’së të AKA-së, pasi që kjo situatë bie ndesh me dispozitën e nenit 11 [Punet e ndaluara per zyrtarin] paragrati 1, nën paragrafî 1.4 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit te Interesit.” – thuhej në dokumentin e AKK-së, që e kishte publikuar Periskopi.

Emërimi i tij në këtë pozitë, kishte shkaktuar shumë reagime, megjithatë, zëvendëskryeministri Bislimi i kishte thënë Albulena Haxhiut, bashkëpartiakes së tij në Vetëvendosje, se nuk shihen shpesh.

‘’E pyeta se çfarë e ka, më tha se në 50 vjetët e fundit e ka takuar ndoshta një here.” kishte thënë Haxhiu në lidhje me nipin e Bislimit.

Ndërkohë, tashmë kanë nisur reagimet për pozitën e re të marrë nga nipi i Bislimit në KOSTT. Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka shkruar:

“A janë familjarët për darsma, a për KOSTT?

Gruaja e Ministrit Liburn Aliu, e nipi i Zv. kryeministrit Besnik Bislimi, sot u votuan nga VV për Bordin e Drejtorëve të KOSTT.

Si do të duken ftesat e ahengut, kryeministër?

Ju ftojmë në hajninë familjare,

I juaji, Albin Kurti?”.

Lajme të ngjashme