Bislimi: Ne s'kemi kapacitet, por BE mund të bëjë fushatë te vendet mos-njohëse
Kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi ka thënë se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës pas datës 18 mars kanë nisur takimet me vendet mosnjohëse, megjithatë, shtoi se mbetet të shihet nëse do të ketë vendime finale.
Bislimi derisa po raporton në Komisionin për Punë të Jashtme, ka thënë se takimet nuk po bëhen vetëm me pesë shtetet mosnjohëse, por edhe me vende të tjera.
“Menjëherë pas datës 18 mars, vendet mike të Kosovës kanë mbajtur takime me vendet mosnjohëse jo vetëm në BE, por edhe në vende të tjera. Por në ç’masë kjo mund të përkthehet në vendime, kjo mbetet të shihet.” – ka thënë ai.
Përveç kësaj, Bislimi tha se BE-ja ka marrë obligime në rrugën e Kosovës drejt integrimeve eropiane, dhe nëse pengohen, atëherë nënkupton që BE-ja s’i ka përmbushur ato.
Ndërkohë, në një pjesë të deklaratës së tij derisa po fliste për dinamika të brendshme të secilit shtet, tha “mendoj se nuk e kemi potencialin, kapacitetin”.
“Janë edhe dinamikat e brendshme të secilit shtet, dhe mendoj që ne nuk e kemi potencialin, kapacitetin…por BE-ja ka marrë obligime në rrugëtimin tonë drejt integrimeve evropiane, dhe në rast se integrimet pengohet na këto shtete, i bie që BE-ja nuk i ka përmbushur këto pika.” - ka thënë ai.
Bislimi sot në komision po raporton rreth dialogut me Serbinë.
Para dy ditësh, ai ishte në Bruksel ku mbajti takim me homologun e tij serb, Petar Petkoviq, me të cilin u dakorduan për marrëveshjen për të pagjeturit, e cila siç bëri të ditur vetë ai, do të publikohet në takimin e radhës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.