Bislimi me urime për vitin e ri: Kemi shënuar të arritura të shumta gjatë këtij viti, e dimë që ka ende punë për të bërë
Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi ka shkruar me rastin e festës së vitit të ri.
Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se ky vit ka qenë me sfida e suksese.
Bislimi ka radhitur disa nga ngjarjet që kanë ndodhur gjatë këtij viti, duke filluar nga ekonomia e vendit, që tha se ka shënuar rritje e tutje duke folur për procesin e antarësimit në Bashkimin Evropian.
“Kosova ka shënuar gjatë këtij viti rritje ekonomike, rritje të eksporteve, rritje të të hyrave doganore, rritje të të hyrave tatimore, rritje të investimeve të huaja direkte, rritje të rezervave shtetërore dhe rritje të punësimit.Kemi shpërndarë mbi 200 milionë euro vetëm përmes Pakove të Ringjalles Ekonomike dhe asaj të Përballjes me Inflacionin.Kemi shënuar progres në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, ku janë miratuar në Qeveri e Parlament numri më i lartë ndonjëherë i ligjeve dhe projektligjeve në kuadër të agjendës evropiane dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
Tutje ai ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës për në Këshillin e Evropës.
“Vendi ynë, ka aplikuar këtë vit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e së fundmi në muajin dhjetor kemi dorëzuar dhe aplikimin për anëtarësim në BE.Pas vitesh të pritjeve të shumta, tashmë kemi ecur përpara në çështjen e liberalizimit të vizave, ku pas përfundimit të hapave të fundit të mbetur, qytetarët tanë do të mund të lëvizin pa viza, më së largu me 1 janar 2024”, ka shkruar tutje ai.
Bislimi tha se kanë shënuar të arritura në këtë vit, duke mos mohuar se kanë ende shumë punë për të bërë.
“Kemi shënuar të arritura të shumta gjatë këtij viti, por e dimë që ka ende punë për të bërë. Përpara, drejt një viti tjetër plot përkushtim, angazhim e suksese të reja”, përfundon statusi i tij.
