Bislimi e Petkoviq sot ulen në tavolinën e bisedimeve: Çka pritet të ndodhë?
Kryenegociatori i Kosovës në bisedime, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq pritet që të sot të takohen në Bruksel. Pas takimit në Ohër, ky do të jetë diskutimi i parë mes dy palëve ku çështje kryesore pritet të jetë ajo e implementimit. Çka pritet të ndodhë?
Për herë të parë pas takimit të Ohrit, pala kosovare dhe ajo serbe ulen në një tavolinë në Bruksel, për t’i diskutuar hapat e parë të implementimit të marrëveshjes.
Kosova e Serbia më 27 shkurt ishin pajtuar për marrëveshjen, ndërkaq më 18 mars për implementimin e saj.
Çka pritet të ndodhë?
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano të hënën në një konferencë për media është pyetur edhe rreth zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
“Ne shpresojmë që ajo që kemi parë këto ditë, sidomos në veri, mos të ndikojë në takim. Ky do të jetë takimi i parë që nga ai i Ohrit.” – ka thënë ai.
Sipas Stanos, implementimi i marrëveshjes ndikon në largimin nga këto kriza, dhe për këtë arsye, kjo është një prej çështjeve kryesore që të do të diskutohet sot.
“Marrëveshjet kanë qenë pikërisht pëe t’u larguar nga këto kriza. Megjithatë, asnjë krizë nu kzgjidhet vetëm duke u pajtuar, duhet implementim. Për këtë arsye, BE-ja kërkon kaq shumë implementimin. Kjo do të ndodhë nesër në Bruksel, do të diskutohen hapat e parë të implementimit.” – tha ai.
Tutje, zëdhënësi evropian shtoi si vijon: “ Ne duhet të fillojmë punën e implementimit me të dyja palët, dhe duhet ta dedikojnë punën e energjinë e tyre në këtë. Kjo do t’u ndihmojë palëve që të largohen nga situate që kemi parë më herët”.
Vetëmenaxhimi (asociacioni)?
Dikur quhej asocacion, pas takimit të Ohrit është nisur t’i thuhet vetëmenaxhim – kjo ka qenë një prej pikave të marrëveshjes që është kërkuar të implementohet me prioritet.
Pas takimit të Ohrit kryeministri kishte dalë para mediave, ku kishte thënë se do të nisnin me urgjencë bisedimet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb.
“Në këtë aspekt ekziston një paragraf që flet për një nivel adekuat që flet për një nivel të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë. Dhe në këtë mënyrë ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta... duhet të mos harrojmë se propozimi i presidentit Ahtisaari iu ka krijuar mundësi që edhe t’i kërkojnë të drejtat edhe t’i realizojnë liritë e tyre...” – deklaronte Kurti.
Ndërkaq, vlen të theksohet se implementimin e kësaj pike të marrëveshjes e kanë kërkuar vazhdimisht edhe partnerët ndërkombëtarë, BE-ja e ShBA-ja.
Sa i përket takimit të sotëm, Kurti në lidhje me këtë para disa ditësh ka deklaruar: ““Më 4 prill në Bruksel ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes, që tashmë është dakorduar. Pra ka marrëveshje, ekziston marrëveshja, është e qartë publike për të gjithë. Kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj, prandaj edhe po organizohet ky takim”.

