Bislimi e kritikon Vuçiqin: I glorifikoi veprimet e kriminelëve si atdhetare e liridashëse
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ka folur për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se Aleksandar Vuçiqi, president i Serbisë, qëndron prapa agresionit. Duke folur në një konferencë të organizuar nga instituti "Octopus", Bislimi ka shpjeguar situatën në veri, ndërsa e ka akuzuar Vuçiqin për shfrytëzimin e situatës së brishtë në veri. Çka deklaroi Bislimi?
Sipas Bislimit, rasti i Banjskës mund të përdoret si rast studimor dhe se ka potencial për të zhbërë të gjitha arritjet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
"Banjska mund të përdoret si rast studimor. Akti i agresionit ka ngritur brengën në rajon e BE dhe për arsye se ky lloj akti mund ta zhbëjë gjithë progresin që Kosova e Serbia ka bërë përmes dialogut me Serbinë...Brenga kryesore është fuqia që kanë akterët shtetëror dhe para shtetëror për të ofruar informata të gabuara ose gjysmë të vërteta që në fakt përbenë thelbin e luftës hibride që Serbia po e përdorë viteve të fundit." - deklaroi ai, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij, Bislimi ka vlerësuar se ka një ftohje të theksuar mes Kosovës dhe Serbisë. Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Bislimi ka theksuar se Vuçiqi ka konsiliduar disa grupe kriminale, në krye të së cilave qëndron Milan Radojiçiqin, i cili e ka pranuar se ishte udhëheqës i grupit të armatosur të serbëve, që kreu sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
E gjithë kjo, sipas Bislimit, është bërë duke e shfrytëzuar situatën e brishtë të sigurisë
“Që nga paslufta në Kosovë, Vuçiqi ka shfrytëzuar situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe në këtë qëllim ka shfrytëzuar metodat më perfide dhe kriminale, dhe deri te përkrahja pa rezervë nga strukturat serbe, si BIA, xhandarmëria, e së fundmi edhe ushtria. Vuçiqi ka konsiliduar në të dy anët e kufirit grupe kriminale. Në njerën prej tyre e kemi Milan Radojiçiqin dhe Zvonko Vesilinoviqin" - deklaroi Bislimi.
Në fjalën e tij, z. Bislimi ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës e dëshiron integrimin e serbëve të veriut, ndërsa deklaroi se Vuçiqi i ka glorifikuar grupet kriminale.
“Këto veprime kriminale, Vuçiqi në vazhdimësi ka tentuar t’i relativizojë e amnistojë pa fije trupi, duke mohuar si të pavërteta pretendimet e organeve tona të sigurisë. Njëkohësisht, ai ka glorifikuar veprimet e tyre si veprime atdhetare, veprime liridashëse, duke ngritur edhe paralele të veprimeve të Radojiçiqit dhe të komandantit legjendar Adem Jashari të periudhës 98-99” – deklaroi tutje Bislimi.
Për Radojiçiqin ka folur sërish edhe Vuçiqi, i cili ka deklaruar se hetimi për rastin e Milan Radojiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe roli i tij në sulmin ndaj Policisë së Kosovës “do të shqyrtohen në të gjitha aspektet”
“Nuk do të doja ta mbroja, sepse ai përgjigjet para organeve të drejtësisë, aktakuza vjen kur të përfundojë hetimi dhe të vërtetohen të gjitha faktet.” – citohet se ka thënë Vuçiq, duke shtuar se Radojiçiq pranoi “gjithçka vet” dhe prokurori nuk po e ndjek penalisht për “krime të lehta”.

