Biseda me Radoiçiqin | VV-ja e mbron Kusari-Lilën, opozita kërkon dorëheqjen: U koordinuar me Milanin kudër veteranëve të UÇK-së
Publikimi i një pjese tjetër të bisedës të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me kriminelin serb Milan Radoiçiq, ka nxitur reagime të ashpra në vend. Në videon e publikuar nga “Paparaci”, deputetja e VV-së dëgjohet duke u koordinuar me Listën Serbe dhe Milan Radoiçiqin për Ligjin për Pagën Minimale, ku nga ky ligj ishin përjashtuar veteranët e UÇK-së.
Kjo ka bërë që opozita të kritikoi ashpër deputeten e VV-së. Madje, disa përfaqësues të partive opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e Kusari-Lilës.
Sipas tij, bisedat tregon se VV-ja vazhdimisht është koordinuar me Listën Serbe.
Shefi Grupit Parlament të LDK-së, Arben Gashi, ka vlerësuar se biseda në fjalë tregon se VV-ja negocioi me Milan Radoiçiq për çështjen e pagës së veteranëve të UÇK-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, Gashi ka shkruar se kjo është një situatë alarmante.
“Nga përgjimet e publikuara nga gazeta Paparaci, rezulton se Vetëvendosje po negocion me Milan Radoiçiq për çështjen e pagës së veteranëve të UÇK-së. Paga e veteranëve ka qenë debati kryesor i ligjit për pagën minimale. Kjo është një situatë alarmante, ku interesa të rëndësishme të vendit po diskutohen me figura që kanë vepruar kundër shtetit tonë”, ka shkruar Gashi.
Edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Petrit Hajdari, e ka kritikuar deputeten e VV-së.
Në profilin e tij, ai ka ironizuar me bisedën në fjalë.
“Ne iu kërkonim koordinim me partnerët, këta paskan qenë të zënë tuj u koordinu me Radoiçiqin”, ka shkruar Hajdari në profilin e tij në “Facebook”.
I ashpër me Kusarin-Lilën ka qenë edhe ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo bisedë tregon se kah i ka te kthyera antenat Qeveria Kurti.
“Incizimet e publikuara sot nga Paparaci, ku dëgjohet koordinimi i mashës së Kurtit, Mimozës me Radoiçiqin, tregon mirë se kah i ka te kthyme antenat qeveria e tij. Në vend që të koordinohen me Amerikë e aleatë, këta bashkëpunojnë me terrorista serb. I tillë ishte koordinimi kundër UÇK-së në përfshirjen e tyre ne ligjin e pagave ku publikisht votuan kundër. I tillë ishte vendimi i qeverisë, njëherë për bllokimin e më pas për çbllokimin e hyrjes së produkteve serbe në Kosovë, pa asnjë përfitim për vendin”, ka shkruar Haradinaj.
Kurse, aktivisti i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ka kërkuar dorëheqjen e Kusari-Lilës nga pozita e deputetes.
“Bashkëvendase nga Gjakova, terhiqu e dorëhiqu. Ke qenë në pushtet boll. Me krejt partitë. Në nivel lokal e qendror. Le t`i krynë puntë e flliqta najkush tjetër sepse tashmë u diskreditove. Kështu as liderit s`mundesh me i sherby mo.”, ka komentuar Nushi në statusin e Kusari-Lilës.
VV-ja i del në mbrojte
Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari–Lila, ka reaguar pas publikimit të një pjesës tjetër të bisedës me kriminelin Milan Radojiçiq dhe Sllavko Simiqin e Listës Serbe.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka akuzuar mediat se përmes publikimit të audio-incizimeve po tentohet të dëmtohet ajo dhe të mbrohet krimineli serb.
“Këta, të njëjtit, me çdo kusht po duan t’ja bëjnë avokatin dhe argatin. Po e mbrojnë Radojçiqin me sound bites dhe montazha të bisedave me ish deputetin Slavko Simiq, e fundit bisedë në qershor të 2022-tës, pas së cilës ai u nxorr jashtë nga zyra ime. Megjithatë, shihet se hallin e kanë të madh përderisa bëjnë permutacione të së njëjtës bisedë për të pestën herë. Kësaj radhe në ditën e seancës gjyqësore për sulmin terrorist në Banjskë”, ka shkruar Kusari-Lila.
Deputetes se VV-së i ka dalë në mbrojtje edhe Dejona Mihali, koordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo e fundit ka shpërndarë postimin e Kusari-Lilës.
“Çdo ditë një sulm, Ndaj çdo ditë një motiv shtesë për më shumë punë”, ka shkruar Mihali.
Për këtë çështje është pyetur sot edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai nuk ka dashur të komentoi shumë këtë çështje, duke thënë se ende nuk e ka dëgjuar audio-incizimin.
“Ju porsa e thatë se në këtë momente paska pasur ndonjë publikim. Kështu që në këto momente unë nuk kam as se si ta shoh, e as dëgjoj, por përshytpja ime është tash do të intensifikohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës dhe në veçanti ndaj Qeverisë sonë, kundër Grupit tonë parlamentar dhe kryetares së grupit parlamentar tonë. Këtë e kemi parë edhe në të kaluarën, unë nuk pres shumçka të re prej atyre të vjetërve”, ka thënë Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë.
Biseda e publikuar sot në “Paparaci” është vazhdim i bisedës që më herët ishte publikua nga gazeta Nacionale.