Bie konstantja e Kurtit: I bën ofertë për zgjedhje opozitës që e mendonte ‘të zhdukur’
Në një prej konferencave për media, kryeministri Albin Kurti do t’i druhej ‘zhdukjes së opozitës’ në rast zgjedhjesh. E në një prej seancave të Kuvendit, do ta paraqiste veten si ‘konstantja’ që s’ka nevojë për zgjedhje.
Kryeministri Albin Kurti, në intervistën e mbrëmshme për televizionin publik, u shpreh i gatshëm për zgjedhje.
Ai ftoi opozitën që ‘nëse duan zgjedhje, ta rrëzojnë’. Madje Kurti, shprehu gatishmëri ta ndihmojë opozitën në këtë çështje.
“Është e vetmja pyetje që ma bëtë për opozitën”, tha Kurti kur u pyet nga gazetarja lidhur me kërkesën e opozitës për zgjedhje.
“Ata duhet ta thonë fjalën e tyre, unë nuk mund të shkoj në zgjedhje pa opozitën.
Aktgjykimi i Kushtetueses i vitit 2020, thotë për shpërndarjen e vendit duhen 2/3.
Numrat mund t’i bëjmë bashkë.
Po them që mund të shkojmë në zgjedhje kur të don opozita. Jemi gjithmonë gati për zgjedhje”, tha ai.
Por, para një viti, kryeministri Kurti do të bënte bujë me një deklaratë ku fliste për ‘zhdukjen e opozitës’.
“Unë kam dëgju që opozita herë kërkon dorëheqjen time, herë kërkon shkarkimin tim, e herë kërkon zgjedhje të parakoshme.
Më lejoni të them që zgjedhjet e parakoshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës.
Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet se i hupë, e Qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet se zhduket opozita.
A je lodhur? S’lodhem kurrë unë, për asnjë gjë hiç”, do të deklaronte Kurti.
Bie ‘konstantja’ e Kurtit
Në një prej seancave të Kuvendit të Kosovës, në vitin 2023, ku diskutohej për dialogun me Serbinë, Kurti do ta godiste opozitën në një prej replikave të tij, duke i thënë se ‘si ia kishin bërë me Vuçiqin’ meqë ky i fundit nuk po pranonte të nënshkruante marrëveshje me Kurtin.
Madje, Kurti e kishte lidhur veten edhe me një farë ‘qëndrueshmërie’ (konstante siç do të shprehej ai).
“Në dialogun e juaj ai ishte konstant e në Kosovë mbaheshin zgjedhje, tash, unë jam konstant e në Serbi mbahen zgjedhjet”, do të deklaronte Kurti.
“Edhe njëherë po e ritheksoj para të gjithë deputetëve dhe qytetarëve të Republikës, me sa vijon:
unë jam edhe i gatshëm për nënshkrim edhe i interesuar, Beogradi nuk po do të nënshkruaj me mua. Ka nënshkruar edhe me PDK edhe me LDK. Aman më tregon se si ja keni bërë që ta mësoj edhe unë?!
Dilni këtu në foltore e më njoftoni sinqerisht e mundësisht edhe kolegialisht e vëllazërisht, si ja keni bërë që me juve nënshkruante? Mua po më ikë, nuk po nënshkruan, po shpallë zgjedhje. Në dialogun e juaj ai ishte konstant e në Kosovë mbaheshin zgjedhje, tash, unë jam konstant e në Serbi mbahen zgjedhjet”, do të deklaronte Kurti në seancën e vitit 2023.
Pas ‘ofertës’ së Kurtit që t’ia bëj numrat opozitës për rrëzimin e vetes, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se PDK ‘i ka nënshkrimet gati’.
“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam ba thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë - nëse ke guxim e të ka mbetë pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin!”, ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Kurti lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme.
“Nëse është dorëzuar dhe duket se është dorëzuar, le të jep dorëheqje. Por nëse është dorëzuar, le të jep dorëheqje pse ta komplikojë”, ka thënë Abdixhiku në emisionin Pressing në T7.
“LDK nuk bënë mocion për shpërbërje të Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje dhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, ka thënë Abdixhiku.