Bideni sot në Poloni, raportohen sulme të reja në Ukrainë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do ta vizitojë të premten Poloninë, ku janë vendosur më shumë se dy milionë refugjatë ukrainas, pasi më parë paralajmëroi se NATO-ja do të reagonte njësoj, nëse Rusia përdor armë kimike.
Gjatë qëndrimit në Poloni, shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet të takohet me homologun polak dhe gjithashtu t’i vizitojë trupat amerikane në Rzeszow, afër kufirit me Ukrainën. Kriza e refugjatëve pritet të jetë njëra ndër temat kryesore të diskutimeve.
Para se të niset drejt Polonisë, presidenti amerikan do të takohet në Bruksel me presidenten e Komisionit Evropianm, Ursula von der Leyen, ndërsa të enjten mori pjesë në një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s dhe u takua me udhëheqësit e shteteve të Grupit G7.
Kohëve të fundit, është shtuar shqetësimi se Rusia mund të përdorë armë kimike në përpjekje për t’i përshpejtuar avancimet ushtarake në Ukrainë, për të cilat ekspertët thonë se kanë qenë shumë më të ngadalshme se që është pritur në Moskë.
Raportohet për sulme të reja në Ukrainë
Dy raketa kanë goditur një njësi ushtarake ukrainase në periferi të qytetit Dnipro, tha në rrjete sociale guvernatori rajonal, Valentyn Reznychenko.
Sipas tij, këto raketa kanë shkaktuar shkatërrim serioz dhe se shpëtuesit të premten po kërkojnë për të mbijetuar të mundshëm nën rrënoja, raporton agjencia "Reuters".
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të premten se forcat e armatosura ruse kanë shkatërruar një depo të madhe nafte afër Kievit përmes një sulmi me raketa.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Igor Konashenkov, tha se sulmi është kryer të enjten në mbrëmje, duke përdorur raketa “Kalibr”, të hedhura nga deti.
Ai shtoi se kjo depo përdorej për furnizimin e forcave të armatosura ukrainase në pjesën qendrore të Ukrainës./Nacionale