Betimi i kryetarit të ri në Mitrovicë të Veriut, Vuçiq pezullon aktivitetet për shkak të “situatës komplekse të sigurisë në veri”
Betimi i kryetarit të ri shqiptar në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, nis qysh tash në ora 11:00 në ndërtesën komunale, ndërsa Presidenca e Serbisë, e ka quajtur “situatë komplekse” teksa ka njoftuar se Aleksandar Vuçiq do të zhvillojë takime me “akterë të brendshëm dhe të jashtëm politikë” për të diskutuar për “situatën e sigurisë në Kosovë”.
“Për shkak të situatës komplekse të sigurisë në Kosovë, Presidenti i Serbisë, Aleksnadar vuçiq, do të zhvillojë disa takime gjatë me faktorë të brendshëm dhe të jashtëm politikë në përpjekje për të stabilizuar situatën”, thuhet në deklaratën e Presidencës së Serbisë, ndërsa shtohet edhe se Vuçiq i ka pezulluar të gjitha aktivitetet e ditës.
Mbrëmjen e së enjtes pesë shtetet e QUINT-it dolën me një deklaratë të përbashkët ku kërkuan që të mos përdoret forcë në rastin e betimit të kryetarëve të rinj në katër komunat veriore dhe shtuan se nuk është me patjetër që ky betim të bëhet në objektet komunale të cilat mund të mos jenë të qasshme.
“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thanë dje QUINT-i.
Me këtë gjë është marrë ekstenzivisht edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili zhvilloi takime edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ngjarjet në fjalë.
“Ne presim që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë një rol teknik, sesa një rol politik, të marrin veprime që nuk shihen si eskalim i tensioneve dhe duam që qeveria t’i mbështes”, ka thënë dje Hovenier në një prononcim për gazetarë pas takimit me Kurtin.