Beteja e madhe: Pal Lekaj e Hysen Durmishi tri herë e paditën njëri-tjetrin, brenda pak muajsh - NACIONALE

Beteja e madhe: Pal Lekaj e Hysen Durmishi tri herë e paditën njëri-tjetrin, brenda pak muajsh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Njëri aktualisht është zv/ministër i Infrastrukturës. Tjetri, muaj më parë ishte ministër në po të njëjtin dikaster. Akuzat e kundër-akuzat ndërmjet vete nëpër debate televizive, kanë bërë që Hysen Durmishi e Pal Lekaj ta nisin një ping-pong me padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Për pak muaj janë dorëzuar tri të tilla. Dy herë e ka paditur Lekaj-Durmishin, e një herë Durmishi – Lekajn. Gazeta Nacionale i ka siguruar paditë dhe sjell detaje.

Më 16 korrik të vitit të kaluar, zv/ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi përderisa po fliste për qeverisjen e Pal Lekajt në këtë ministri, gjatë një debate televiziv, e përmendi nocionin “grup kriminal”. Kjo duke aluduar në udhëheqjen që Lekaj ia kishte bërë ministrisë. E për këto deklarata, 10 ditë pas, saktësisht më 27 korrik, Pal Lekaj nëpërmjet avokatit të tij dorëzoi padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Madje, duke ia kërkuar Durmishit 20 mijë euro si kompensim.

Kjo do të ishte vetëm padia e parë, në një betejë gjyqësore që posa ka nisur ndërmjet Hysen Durmishit e Pal Lekajt. Numri i padive për shpifje ndërmjet këtyre dyve, tashmë ka arritur në tri, brenda pak muajsh. Janë dy padi që deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ia ka bërë Durmishit, kurse një ky i fundit Lekajt. Në tri paditë, vlera e kompensimit shkon në 50 mijë euro.

PADIA E PARË

Padinë e parë e ka ngritur ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, më datën 27 korrik 2021. Kjo pas disa deklaratave të Hysen Durmishit në televizionin T7. Ky i fundit duke folur për kohën e qeverisjes së Lekajt, kishte përmendur edhe grupet kriminale. Si rezultat, Lekaj po i kërkon kompensim 20 mijë euro.

Në padinë që e ka siguruar gazeta Nacionale, Lekaj dhe avokati i tij pretendojnë që me këto deklarata, është dëmtuar imazhi. “Në ministrinë e Infrastrukturës, sidomos, njerëzit që kanë qenë këtu, në kohën e Pal Lekaj kanë qenë grup kriminal, e them publikisht këtë”, kishte deklaruar Durmishi në debatin televiziv.

Për Lekajn kjo është e papranueshme, duke e arsyetuar se për veprimtarinë e tij në Ministri, nuk ka qenë asnjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë.

“Në këtë mënyrë, i padituri me vetëdije të plotë dhe qëllim ka shpifur dhe fyer paditësin në mënyrë të drejtpërdrejtë duke e akuzuar për veprimtari të krimit të organizuar, që është forma më e rëndë e kriminalitetit, pa e poseduar asnjë provë dhe dëshmi, dhe këtë e ka bërë në një emission televizi të transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek audience vendore dhe ndërkombëtare. Kjo deklaratë është marrë dhe cituar nga shumë shtëpi të tjera mediale”, thuhet në padinë që Lekaj ia ka bërë Hysen Durmishit.

Avokati i Lekajt gjithashtu kishte kërkuar edhe masë të sigurisë nga Gjykata, për t’ia ndaluar shpifjet e tilla Hysen Durmishit.

PADIA E DYTË

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, nuk u ndalë me një padi. Ai e dërgoi në Gjykatën e Prishtinës edhe të dytën. Madje, ndaj të njëjtit person. Nuk ndryshoi vetëm deklaratat e Durmishit, i cili sërish në një debat televiziv kishte folur për grup kriminal në Ministrinë e Infrastrukturës, gjatë kohës sa qeverisjes nga Pal Lekaj.

Në një emision në ATV, Durmishi kishte deklaruar: “Nuk hezitoj të them publikisht që në ministrinë e infrastrukturës, në kohën e Pal Lekaj, ka qenë një grup i organizuar kriminal. Pal Lekaj ishte shef i Ministrisë edhe në kohën e ministrave Abdixhiku e Abrashi”.

Edhe në këtë padi, Pal Lekaj ka kërkuar kompensim në vlerë 20 mijë euro nga Hysen Durmishi.

Në mungesë të një prove të tillë, është e qartë se i padituri në cilësi të zv/ministrit të Infrastrukturës, duke ditur se informacioni është i rrejshëm, ka shpifur ndaj paditësit duke etiketuar punën e tij gjatë udhëheqjes me ministrinë si punë e një grupi të organizuar kriminal, dhe këtë e ka bërë para opinionit publik disa herë dhe ka shpifur se paditësi kishte nën udhëehqeje ministrinë edhe pas përfundimit të mandatit të tij si ministër”, thuhet në padinë e datës 29 dhjetor 2021.

Kjo, nuk doli të ishte padia e fundit në duelin e madh Lekaj-Durmishi!

PADIA E TRETË

Pas dy padive të Lekajt, radha i erdhi tash Hysen Durmishit. Ky i fundit po i kërkon 10 mijë euro nga deputeti i AAK-së, për disa deklarata që ky i fundit i kishte dhënë në televizionin Kanal 10.

Padia e Durmishit është dorëzuar në muajin janar të këtij viti, në lidhje me deklaratat e Lekajt për jetën familjare të Durmishit dhe çështjen e një kontrate për hekurudhat.

Z.Durmishi më mirë duhet me u marrë me veprimet e tij në komunën e Prishtinës dhe Vetëvendosje, duke theksuar se nuk dëshiron të hyjë në familje. Poashtu i njëjti thekson se z.Durmishi ka nënshkruar një kontratë prej 50 milionë euro në Mitrovicë në mënyrë të heshtur”, thuhet në padinë e Durmishit.

Përmes këtyre deklarimeve të pavërteta nga ana e të paditurit i cili e ka dëmtuar rëndë reputacionin, imazhin dhe autoritetin tim, janë përmbushur të gjitha elementet e kryerjes së veprës civile të shpifjes, të parapara sipas Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Hyerjes”, thuhet më tutje në padi.

Në fakt, përplasjet në distancë ndërmjet Pal Lekajt e Hysen Durmishit, kanë qenë të shpeshta sidomos nëpër studio televizive.

Megjithatë, nga studiot duket se tash betejën të dy do ta vazhdojnë në gjykatore. Mbase, edhe do t’iu bie të shihen shpesh!

Lajme të ngjashme