“Besom”, ngatërroi AKP-në me fabrikën: Shpërthejnë talljet me zëvendësministrin Sallahu
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, sa herë del nëpër intervista në televizione bëhet objekt tallje në opinionin publik. Kjo pasi intervistat e tij karakterizohen më pasaktësi dhe me fjalë që nuk kanë kuptim.
Kështu ndodhi edhe mbrëmë. Pas paraqitjes së tij në emisionin “Interaktive” të KTV-së, ai ka nxitura reagime të shumë gazetarëve dhe analistëve.
Derisa fliste për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, analistët përsëri kanë filluar talljen me të.
Analisti Ilir Mirena ka ironizuar me pretendimin e Sallahut, i cili kërkonte që t`i besohej se Ministria e Drejtësisë nuk ka për qëllim që ta kapte sistemin prokurorial.
“Besooom, po i thote ky Sallahu i vajit n’tepsi moderatorit te KTV’se, qe asnje qellim se kemi me kap sistemin e drejtësisë”, ka shkruar Mirena në profilin e tij në “Facebook”.
Kurse, gazetari Vehbi Kajtzai ka ironizuar me një fjalë tjetër të zëvendësministrit.
“Ju garantoj se pas ketij acari, do te vije dielli përsëri”, ka shkruar Kajtazi.
Çka tha Sallahu?
Në fillim të emisionit, zv. ministri i Drejtësisë ka thënë se Kushtetuesja ka marrë parasysh vetëm Kushtetutën.
“...Është marrë vetëm Kushtetuta parasysh (në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese) dhe mbi bazën e tyne vlerësimeve të neneve të Gjykatës Kushtetuese e ka nxjerr ligjin jashtë, pra Kushtetutës, ose ma mirë me thanë në kundërshtim me...”, është shprehur ai.
Kurse, kur u kujtua në një moment gjatë intervistës nga moderatori se nuk ishte respektuar edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese për punëtorët e Fabrikës së Tullave në Ferizaj, përgjigja e z. Sallahut – ju ftojmë të mbani një gotë ujë afër vetes – ishte si vijon:
“Nuk është detyrë e Qeverisë Kurti, është detyrë e asaj fabrike me ja dhanë, me ja dhanë të hollat ëë...” – tha Sallahu.
“Jo, nuk është e fabrikës. Është e AKP-së...” – e korrigjoi moderatori, pas të cilës Sallahu u pajtua se ishte e AKP-së. E në fakt, kjo shkon edhe përtej AKP-së. Prokuroria e vendit do të duhej të hetonte mos-zbatimin e vendimeve të caktuara të Kushtetueses.
Interneti kishte shpërthyer me Sallahun edhe vitin e kaluar, kur në një intervistë për ATV kishte përmendur vajin në tepsi.
“Po iu them këtu me plotë përgjegjësi, se niveli i shpejtësisë së punës së ministrisë së Drejtësisë dhe cilësisë gjithashtu, mund të krahasohet gjithashtu me nivelin e shpejtësisë së shpërndarjes së vajit në tepsi”, kishte thënë Sallahu.
