Besnik Tahiri: Rritja e tatimit në pronë, sulm ndaj qytetarëve
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas rritjes së çmimit të tatimit në pronë.
Tahiri në rrjete sociale këtë e ka quajtur sulm ndaj qytetarëve, duke theksuar se në këtë formë po bëhet varfërimi i qytetarëve.
POSTIMI:
Rritja e tatimit për pronat është sulm ndaj qytetarëve!
Efektet zinxhir të krizës socio-ekonomike, nuk mund të shërbejnë si vlerësime reale të normës tatimore të pronave.
Logjika që kriza e shkaktuar nga inflacioni të kthehet barrë, jo vetëm e rritjes së çmimeve bazike, por edhe në vlerësimin e vlerës tatimore, është e pa bazuar, jo logjike dhe rënduese për qytetarët.
Ka kohë që nxjerrja e parave nga xhepi i qytetarëve, po përkthehet si rritje e të hyrave buxhetore, si rritje ekonomike.
Në vend se shteti të sigurojë vitalitetin e ekonomisë, e të garantojë mirëqenien e qytetarëve, ai po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve.
Nuk vlejnë rregulla të njëjta në kriza, bota njeh teori e shembuj të ndërhyrjes së shtetit, për të kapërcyer kriza, e jo praktika të krekosjes kur qytetari ka plot halle.