Bërnjaku e Jarinja, ende të mbyllura - NACIONALE

Bërnjaku e Jarinja, ende të mbyllura

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas gati tri javëve, pasditen e 29 dhjetorit nisi heqja e barrikadave të ngritura në veri të Kosovës. Për rreth 20 ditë, grupe serbësh mbajtën të bllokuara disa rrugë që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë. Largimi i bllokadave nisi pas një takimi që mbajti presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me disa përfaqësues të serbëve të Kosovës, por pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë janë ende të mbyllura.

Kështu bëhet e ditur nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

QKMK njofton se në pikat e tjerat kufitare nuk ka pritje të gjata, as për të hyrë në Kosovë, as për të dalë prej vendit.

Megjithatë, disa barrikada në pjesën veriore të Mitrovicës kanë nisur të hiqen të enjten e 29 dhjetorit. Barrikadat janë larguar në fshatin Rudarë - i cili gjendet në komunën e Zveçanit -, në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Çka u deklarua për situatën?

Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, e ka mirëpritur lajmin për heqjen e barrikadave. Ai në pritjen për gazetarë tha se është mirë që ato po largohen pa ndërhyrjen e policisë, duke thënë se ata që i vendosën vetë dhe vetë po i larojnë.

Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera, krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten”- tha Kurti.

Për situatën tashmë të krijuar kanë reaguar të enjtën mbrëma edhe nga KFOR-i.

Të gjitha palët duhet të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të mëtejshëm. KFOR-i po i monitoron nga afër zhvillimet”- thuhet në deklaratën e KFOR-it.

Si erdhi deri te largimi i barrikadave?

Lajmi i ditës së mërkurë të 28 dhjetorit për dërgimin e ish-policit Dejan Pantiq në arrest shtëpiak e shtensionoi situatën në veri. Barrikadat ishin vendosur pikërisht si shenjë proteste për arrestimin e Pantiqit, veprimin e të cilit autoritetet tona e konsideronin si të motivuar politikisht.

Gjatë ditës së enjte, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian lëshuan një komunikatë në të cilën thuhej se kishin marrë garanci nga lidershipi politik në Kosovë se nuk do të kishte lista të arrestimeve për qytetarët e barrikaduar.

Barrikadat u cilësuan madje si “paqësore” përkundër deklaratave të përsëritura nga ana e zyrtarëve të Kosovës – përfshirë kryeministrin – se në to kishte elemente kriminale.

Kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme u shfaq mjaft i ashpër, duke dashur që t'i mësonte emrat e prokurorit dhe gjyqtarit.

Opozita kërkoi sqarim

Partitë opozitare kanë qenë dyshuese se Qeveria e Kosovës është përfshirë në një marrëveshje të fshehtë me Serbinë për dërgimin e ish-policit Dejan Pantiq në arrest shtëpiak dhe largimin e barrikadave në veri.

Zyrtarët e këtyre partive politike i kanë kërkuar sqarime Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Sipas tyre, edhe deklarata e përbashkët e ShBA-së dhe BE-së tregon se palët kanë zhvilluar bisedime për largimin e barrikadave.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nëse qeveria është përfshirë në ndonjë marrëveshje të fshehtë, ajo duhet të japë sqarime.“I takon Qeverisë që të dalë e ta shpjegojë a ka qenë e përfshirë në diçka të tillë, sepse ajo që është diskutuar plotë herë gjatë ditëve të fundit që Qeveria duhet të pajtohet me lirimin e të arrestuarit Pantiq në arrest shtëpiak në mënyrë që të të hiqen barrikadat. Nëse kjo është një marrëveshje e fshehur që e ka bërë Qeveria, mirë është që të na tregojë që ta arsyetojë këtë vendim”- ka thënë Krasniqi për EO.

Dyshime edhe më të forta për një marrëveshje të tillë ka shprehur deputetja e AAK-së,Time Kadrijaj.

Ajo ka thënë se qytetarët kanë të drejtë që të dinë se çka përmban ajo marrëveshje.

Ndërsa ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, mendon se vendimi për ndryshimin e masës nga paraburgimit në arrest shtëpiak për ish-policin serb është bërë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Me gjasë, vendimi për lirimin e policit serb qenka shkruar nga kyenegociatori Bislimi, meqenëse sapo deklaroi që qenka shkruar shpejt”- ka bërë me dije Tahiri.

Lajme të ngjashme