Berishaj pa pikë turpi flet në Prishtinë: Jam i gëzuar që e përfaqësoj Kosovën - NACIONALE

Berishaj pa pikë turpi flet në Prishtinë: Jam i gëzuar që e përfaqësoj Kosovën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet se është përfshirë në një aferë financiare rajonale, i ka mohuar të gjitha raportimet lidhur me skandalin në të cilin përflitet emri i tij.

Në prag të nisjes së Forumit Ekonomik në Prishtinë, Berishaj ka thënë se raportimet për përfshirjen e tij në një aferë janë qëllimkëqija.

Thotë se është krenar për përfaqësimin e Kosovës si ambasador në Kroaci.

“Jam shumë i gëzuar dhe i respektuar që i prezantoj Qeverinë e Kosovës, shtetin e Kosovës si ambasador në Kroaci. Këto çështje, për të cilat po pyesni, janë spekulime të drejtuara dhe kanë prapavijë politike”- ka deklaruar Berishaj.

Të gjitha spekulimet, Berishaj thotë se i hedh poshtë.

“Mendoj se është shumë me rëndësi në këtë rast të flasim më tepër për aktivitetet e këtij forumi. Duhet të them që këto spekulime që janë bërë, i hedh poshtë dhe ato kanë vetëm një qëllim - ta denigrojnë personalitetin tim, imazhin e Kosovës. Këta shpifësa besoj se do të dalin para gjyqësisë”- shtoi Berishaj.

E gazeta sllovene "Prava" javë më parë ka botuar një artikull të gjatë, ku hulumtohen lidhjet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me kompaninë sllovene, GEN. Sipas gazetën "Prava", dyshohet se ambasadori Berishaj është paguar nga GEN-i, teksa raportohet edhe për kompaninë e Berishajt, që e mban emrin "MB Consulting". Madje aty theksohet se ambasadori kosovar ka tërhequr 600 mijë euro para të thata (cash) në vitet 2019 dhe 2020.

Në hulumtimit e titulluar "Si e paguan Martin Berishajn nga kompania sllovene GEN-I! Ku përfunduan gati 100 milionë euro", theksohet se ambasadori i Kosovës ka përfituar qindra mijëra euro në mënyrë të dyshimtë. Në fakt, gazeta shkruan se nëpërmjet operacioneve akrobatike të kontabilitetit, kompania sllovene, GEN, me filialet e saj në Beograd, Sarajevë e Tiranë, i ka mbuluar gjurmët e gati 100 milionë eurove.

Nga këto 100 milionë euro, për të cilat raporton Prava, 60 milionë janë transferuar në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa miliona të tjera në filialin e GEN-it në Beograd e Tiranë.

Skandali i raportuar në prill:

“Pronari i MB Consulting dhe i punësuari i vetëm i kësaj kompanie është Martin Berishaj. Ai u ka thënë autoriteteve tatimore në Mal të Zi që arsyeja përse i ka tërhequr paratë kesh kishte të bënte me një marrëveshje që ai e kishte me kompaninë e tij”- thoshte mediumi slloven në prill, duke treguar që Berishaj i ka tërhequr rreth 200 mijë euro nga llogaria personale dhe rreth 320 mijë të tjera i ka tërhequr si fitim nga llogaria e biznesit.

Kjo kompani ishte hapur nga ana e Martin Berishajt vetëm dhjetë ditë përpara se të bëhej pagesa e parë nga kompania GEN në Beograd.

Lajme të ngjashme