Berisha: Votimi i detyrueshëm është zgjidhja për ta mundur Edi Ramën
Kryetari i Partisë Demokratike të rithemeluar, Sali Berisha ka thënë këtë të shtunë se ekziston një zgjidhje për ta mposhtur Edi Ramën. Ai ka propozuar votimin e detyrueshëm si opsion për të luftuar blerjen e votes, në mënyrë që Rama të mposhtet, e të fitoj demokracia.
“Votimi i detyrueshëm do e bëjë të pavlefshme blerjen e votës. sepse blerjet janë dy llojesh, nga njëra anë është blerja e të drejtës së votës. Ana tjetër është merr paratë dhe dil e voto për mua. Kjo e dyta, nëse bëhet votimi me detyrim siç e ka Greqia apo Australia. Një nga miqtë e mi në Australi më ka thënë se kjo është bërë për t’i dhënë fund blerjes së votës. Por Edi Rama nuk e pranon se ai e quan Kodin Zgjedhor një kinezëri. Ai pranon vetëm standarde që i lejojnë atij të manipulojë votën,” tha Berisha.
Tutje Berisha është shprehur se është përgjegjësi e demokratëve që të bashkohen në këtë situatë për çlirimin e Shqipërisë siç është shprehur ai.
“Unë kam përgjegjësitë e mia. Por një gjë u them ju, nëse tjetri vendos shitjen e votës, në një varfëri ekstreme që jetojnë njerëzit, duhet të jemi realist. Ne mbetemi të hapur plotësisht për bashkimin e PD-së. Natyrisht është një përgjegjësi e secilit që e merr. Unë besoj se çdo demokrat, për hir të investimit të tij në PD dhe për hir të një situate dramatike në të cilën ndodhet vendi, duhet t’i përgjigjet thirrjes së brendshme dhe të bashkohet në këtë përpjekje për çlirimin e Shqipërisë dhe rivendosjen e votës së lirë,” shtoi kreu demokrat