Berisha: Përjashtimi i Kosovës nga Defender2023 mund të jetë një ndër arsyet për dorëheqjen e Mehajt
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha ka thënë se Kosova humbi mundësinë e saj për të certifikuar ushtrinë me përjashtimin nga Defender 2023.
Berisha në një intervistë për Euronews Albanian ka thënë se kjo mund të jetë edhe një nga arsyet se përse ministri i mbrojtjes Armend Mehaj vendosi të japë dorëheqjen.
“Ne ishim shteti i vetëm apo forca e vetme që u penalizua në Defender 2023 dhe ishim shteti i katërt në botë nga 25 shtete që merrnin pjesë që kishim numrin më të madhe të ushtarëve. Fakti që ne u përjashtuam dhe u penalizuam nga ky formacion ka bërë që Mehaj të shqetësohej. Ai e di mirë se çfarë do të thotë përjashtim. domethënë humb shansin e validimit të certifikimit të kapaciteteve tona ushtarake për të qenë pjesë interoperative e operacioneve ndërkombëtare” - tha Hisen Berisha.
