BE pret edhe “hapa tjerë” nga Kosova në mënyrë që t’i heq masat ndëshkuese, sipas REL
Radio Evropa e Lirë raportoi përmes burimeve të saj diplomatike se heqja e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë ndaj Kosovës varet nga gatishmëria e Prishtinës për të ndërmarë hapat e plotë të tjerë për shtensionim të situatës në pjesëmn veriore të vendit.
“Masat ndaj Kosovës nuk ishin vendosur aq lehtë, ato janë të kthyeshme dhe nuk do të zgjasin asnjë ditë më shumë se sa duhet. Por, për tërheqjen e tyre duhet dëshmi se Kosova po i ndërmerr të gjitha hapat që janë kërkuar nga ajo dhe për shkak të së cilave edhe ishin vendosur këto masa”, tha një burim në BE për Radion Evropa e Lirë.
Ndonëse Kosova ka ndërmarrë një hap të parë të reduktimit të pranisë së njësive speciale brenda dhe rreth ndërtesave të komunave në veri, BE ende nuk ka dhënë përgjigje nëse do t’i tërheq masat ndëshkuese. Sipas këtyre burimeve, këto hapa që po ndërmerr Kosova “janë hapa në drejtim të duhur”, por në BE presin që të shohin edhe hapa të tjerë.
Një zëdhënës i BE-së tha për REL-in se “nuk kemi asgjë për të shtuar asaj që përmes një postimi në Twitter ka thënë përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, kur mirëpriti përkushtimin e Kosovës dhe pret nga Kosova hapa të tjerë pozitivë për të vazhduar avancimin në këtë drejtim”.
