BE: Mirëpresim uljen e pranisë së policisë përreth ndërtesave komunale në veri, por nevojiten hapa shtesë
Bashkimi Evropian ka mirëpritur pozitivisht vendimin e Qeverisë së Kosovës për zvogëlimin e pranisë së forcave të policisë me një shkallë prej 25 për qind brenda dhe rreth ndërtesave komunale në pjesën veriore të vendit. Megjithatë, autoritetet europiane vlerësojnë se situata në veri të Kosovës ende ka nevojë për masa shtesë që të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve.
Në një përgjigje për RTV Dukagjinin, BE-ja ka thënë se edhe pse i mirëpret veprimet e fundit, ka ende hapa të mëtejshëm që nevojiten
“BE-ja mirëpret njoftimin e fundit nga Qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Vendimi është marrë pas takimit të nivelit teknik në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, me qëllim përcaktimin e parametrave të përbashkët për vlerësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen e BE-së.