BE krahason progresin në Ballkan: Shqipëria e Mali i Zi në krye, Kosova ka ngecur - NACIONALE

BE krahason progresin në Ballkan: Shqipëria e Mali i Zi në krye, Kosova ka ngecur

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet me nivelin më të ulët të zbatimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për shkak të bllokadave të brendshme politike që kanë penguar miratimin e legjislacionit kyç.

Kështu deklaroi të mërkurën në Parlamentin Evropian drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Zgjerim të Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman, gjatë raportimit për ecurinë e zbatimit të reformave në vendet e rajonit.

Sipas tij, megjithëse Kosova ka mbetur prapa krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian sheh shenja pozitive pas zhvillimeve të fundit politike.

“Që nga zgjedhjet e qershorit të këtij viti, shohim se Kosova ka filluar të ndërtojë stabilitetin e nevojshëm institucional dhe, për këtë arsye, presim një shkallë më të lartë të zbatimit”, tha Koopman.

Ai bëri të ditur se deri në muajin qershor, Shqipëria dhe Mali i Zi pritet të kenë arritur rreth 80 për qind të zbatimit të reformave, Maqedonia e Veriut mbi 50 për qind, ndërsa Serbia rreth 35 për qind.

Koopman theksoi se në nivel rajonal rreth 90 për qind e hapave të paraparë janë ose të përfunduar ose në proces zbatimi, ndërsa sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, deri në qershor ishte realizuar 57 për qind e tyre.

“Kur u takuam në janar, konstatuam se përparimi ishte i ngadaltë. Tani mund të raportojmë se shumica dërrmuese e hapave janë në zbatim ose tashmë janë përmbushur, megjithëse ekzistojnë dallime të konsiderueshme ndërmjet vendeve të rajonit”, deklaroi ai.

Koopman veçoi se sfidat më të mëdha vazhdojnë të mbeten bllokadat politike në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, Bosnja dhe Hercegovina përballet me situatën më të vështirë, çka ka bërë që Komisioni Evropian të shkurtojë fondet e parapara për këtë vend dhe të propozojë ridrejtimin e tyre drejt Fondit të Këshillit Evropian për Inovacion për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që ato të mbeten në rajon.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është iniciativa e Bashkimit Evropian që synon përshpejtimin e reformave dhe afrimin gradual të vendeve të rajonit me tregun e përbashkët evropian, ndërsa disbursimi i fondeve varet nga përmbushja e reformave dhe kritereve të dakorduara.

Lajme të ngjashme