Bajrami ia indekson me inflacion investimet kapitale ministrit Murati: Vlera reale është 468 milionë euro
Deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili u mburr me të rekordin e shënuar në të hyrat buxhetore dhe investimet kapitale, për të cilat tha se kanë tejkaluar vlerën mbi 600 milionë euro.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bajrami i kujtoi ministrit Murati se vlera e investimet kapitale, edhe po të arrinte në 600 milionë euro, përsëri do të mbetej më e vogël se ajo e vitit 2018, për shkak të inflacionit.
“Edhe nëse investimet kapitale në vitin 2024 arrijnë në 600 milionë euro, prapëseprapë janë më të vogla se ato të vitit 2018, sepse kemi pasur 22% inflacion.” – tha Bajrami.
Bajrami e quajti “të pavërtetë” çdo mburrje me indikatorë ekonomik duke përjashtuar efektin e inflacionit
“Për të satën herë po e potencoj: Sa herë dikush flet për ekonominë e vendit tonë duke përjashtuar nga ekuacioni inflacionin, po thotë të pavërteta.” – tha deputetja.
Deputetja kujtoi se përgjatë katër viteve të fundit vendi përjetoi ngritje të çmimeve “mesatarisht për 22%”.
“Në katër vitet e fundit ka pasur ngritje të çmimeve mesatarisht për 22%, ndërsa shporta e konsumit, për të cilën familjet shpenzojnë rreth 60% të të hyrave të tyre, është rritur me mbi 50%. Ky, pra, inflacioni është kontribuesi kryesor i rritjes së të hyrave buxhetore.” – shtoi ajo.
Në këtë kontekst, deputetja e LDK-së theksoi se vlera 600 milionëshe e përmendur nga Murati, kur indeksohen me inflacionin, është vetëm 468 milionë euro.
“E dyta: Le të supozojmë se i arrini 600 milionë investimet kapitale në vitin 2024, por kur këto i indeksojmë për normën e inflacionit, që është 22% në kumulativ për katër vite, vlera reale e 600 milionëve është vetëm 468 milionë euro. Kjo do të thotë se investimet kapitale të vitit 2024, në terma realë, janë më të ulëta se ato në vitin 2018, që kanë qenë 530 milionë euro.” – tha Bajrami.