Ditë e zezë në Kosovë - 2 të vdekur e 22 të lënduar në katër aksidente të ndryshme
Pritej të ishte dite feste që do të shijohej me ëmbëlsira e lëngje, si triumf pas një muaji ku qytetarët kosovarë dhe jo vetëm sakrifikuan nga ushqimi e gjëra të tjera të veçanta, në këmbim të plotësimit të njërit prej kushteve kryesore të fesë islame.
Megjithatë, për dikë doli të ishte tragjike. Moti me shi, rrugët jo në përshtatshmërinë e duhur e në fund edhe faktori njeri, ndikuan që sot të regjistrohen katër aksidente, prej tyre një me fatalitet, tani për tani. Gjithsesi, shpresojmë të jetë i fundit, përcjell Gazeta Nacionale.
I pari, prej nga edhe u regjistruan dy viktimat (nënë e bir), njëra 31-vjeçare, e tjetri 7-vjeçar, ndodhi në fshatin Gllobar të komunës së Drenasit.
Nacionale siguroi pamje pak çaste pas aksidentit, teksa siç edhe mund ta shihni, nuk duan shumë koment. Përplasje tejet e fortë, ku dëmet materiale arritën në skaj, kurse gjaku që lagu rrugën, shfaqë pështirrësinë e këtij aksidenti, që fatkeqësisht doli të jetë fatal.
Në fakt, ky s'qe i vetmi aksident në këtë komunë. Pak më parë një i tillë ndodhi në fshatin Abri të Epërme, saktësisht te vendi i njohur si "Garrapole".
Pesë vetura u përfshinë, teksa bilanci i personave të lënduar kapi numrin 10. Siç shkruan Sinjali, në këtë aksident u desh dërgimi i tre personave me auto-ambulancë, kurse të tjerët vazhduan me vetura private.
Në anën tjetër, aksidenti i tretë u shënua në magjistralen Prishtinë - Gjilan, saktësisht në fshatin Badoc. Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci njësitë relevante veçse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet rreth aksidentit kanë filluar.
“Njësia rajonale e trafikut kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij aksidenti”, deklaroi Borovci.
Nga informatat jozyrtare mësohet se shtatë persona kanë mbetur të lënduar.
Ndërkohë që, Fadil Nura, përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", ka bërë të ditur se viktimat janë nga komuna e Skënderajt.
Kurse, në Baran të Pejës, u regjistrua edhe i katërti i datës 2 Maj. Sipas zëdhënësit të Policisë për këtë rajon, Fadil Gashi, nga aksidenti gjegjës janë lënduar dy persona.
”Rreth orës 16:30 policia është njoftuar për një aksident në fshatin Baran të Pejës, ku janë përfshirë dy vetura dhe janë lënduar dy persona.
Të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës dhe njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë shëndetësore.”, tha Gashi.
Lajmi do të përditësohet në kohë reale varësisht nga informacionet që do të vijnë nga tereni.