Babai i Calit vdiq pa e parë, Gjykata Speciale arsyetohet me procedurat, reagime të ashpra në Kosovë - NACIONALE

Babai i Calit vdiq pa e parë, Gjykata Speciale arsyetohet me procedurat, reagime të ashpra në Kosovë

4 javë më parë

nga NACIONALE

Babai i Salih Mustafës, Jahja Mustafa vdiq. Sali Mustafa i dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë, kërkoi që ta shihte në ditët e fundit të jetës së tij, por kjo nuk u realizua. Anipse sipas standardeve të drejtësisë edhe vendore edhe asaj ndërkobëtare, në të tilla raste respektohen të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të atyre që janë dënuar, Gjykata Speciale, në një përgjigje për Gazetën Nacionale, ka dhënë arsyetim krejt banal, duke e lidhur me procedura të stërzgjatura, çka bie ndesh me parimin e humanitetit.

Gjyqtari i vetëm është vënë në dijeni të kërkesës të hënën, më 22 dhjetor. Po atë ditë, është nxjerrë një vendim me të cilin është kërkuar informacion shtesë, i cili është ofruar të martën, më 23 dhjetor. Në kohën kur babai i z. Mustafa ndërroi jetë, ende duhej të bëheshin parashtresa të tjera përpara Gjyqtarit të vetëm.” – thuhet aty.

Tutje, Gjykata shpjegon procedurat e stërzgjatura, pa bërë dallimin e situatës emergjente, pasi babai i Calit ishte buzë vdekjes.

“Kur një i paraburgosur paraqet një kërkesë të këtij lloji, gjyqtari ose gjyqtarët që merren me çështjen vlerësojnë të gjitha rrethanat në momentin kur kërkesa është bërë, me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata të tilla. Vendimi merret në përputhje me kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.”

Në përgjigje flitet edhe për bileta të aeroplanit e gjëra përcjellëse.

Është e rëndësishme të theksohet se, ndonëse vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjyqtarët, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, ky proces mund të marrë kohë, pasi kërkon koordinim të ngushtë me një numër aktorësh të jashtëm dhe rregullime komplekse logjistike, përfshirë fluturimet dhe sigurinë.” – thuhet aty.

Reagime të ashpëra në Kosovë:

Veteranë të UÇK-së, politikanë dhe njohës të proceseve politike e kanë vlerësuar Specialen si gjykatë të turpit.

Ndër të paret që ka reaguar ka qenë kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

Ai ka theksuar se dhimbja është e madhe, pasi Cali nuk u lejua ta vizitojë.

“Lajmi për vdekjen e Bacës Jahja Mustafa na preku thellë. Dhimbja bëhet edhe më e rëndë kur mendojmë se djali i tij, shoku dhe bashkëluftëtari ynë, po mbahet padrejtësisht nga Gjykata Speciale dhe nuk iu lejua mundësia ta vizitonte babain në momentet e fundit të jetës. Ngushëllime të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Bacën Jahja. Pusho në paqe, Bace!”, ka shkruar Gucati.

Edhe më e ashpër ka qenë Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.

Ajo ka bërë me dije se kjo gjykata Calit ia shkeli një të drejtë themelore.

Në profilin e saj në “Facebook”, Çitaku ka shkruar se Specialja është një gjykatë e turpshme.

“Baba i Calit ndërroi jetë pa pasur mundësinë që, për herë të fundit, t’ia shtrëngojë dorën të birit. Pa pasur mundësinë ta përqafojë, të çmallet, qoftë edhe për pak çaste, para se të largohej nga kjo botë. Calit iu mohua takimi i fundit me të atin. Kjo nuk është drejtësi. Kjo nuk është njerëzi. Gjykatë e turpshme”, ka shkruar ajo.

Kurse, kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, ka thënë se me këto veprime Specialja po tregon se është gjykatë fashiste.

“Gjykatë fashiste dhe çnjerëzore! Ngushëllime familjes Mustafa! Ngushëllime Calit!”, ka shkruar Behrami në profilin e tij në “Facebook”.

Pavarësisht se babai i Calit prej ditësh ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, Gjykata Speciale nuk e lejoi të vinte në Kosovë për ta vizituar.

Lajme të ngjashme