Avokati i Tush Frrokut, i dyshuari për një vrasje në Klinë, jep detaje se ku fshihej klienti i tij
Pas shpalljes së kërkimit për të, Tush Frroku, i dyshuar për një vrasje në Klinë më 7 gusht, ka zgjedhur që pas një periudhe arratisjeje të dorëzohet në policinë e Pejës.
Avokati i Frrokut, Gani Kelmendi, ka rrëfyer për KALLXO detaje të momenteve kur u mundësua kontakti i parë me klientin e tij, duke përshkruar takimin dhe dorëzimin në stacionin e policisë.
Kelmendi ka përshkruar se ishte ai që shkoi të merrte të dyshuarin nga shtëpia ku ai ishte strehuar për ta shoqëruar më pas në stacionin e policisë.
“Unë kam shku e kam marrë, ka qenë i strehuar në një shtëpi të pabanuar në fshatin Burojë, rreth orës 15:30 dhe jemi shku e kemi marrë. Kam shku e kam pritë, pas rreth 15 minutave ka dalë. Si në mal ka qenë, njëfarë djerrine. Ka dalë, ka ardhë në kerr, kemi ardhë rrugës, ka hëngër bukë, ka pi një kafe, ka ble cigare”- ka treguar avokati Kelmendi.
Sipas avokatit, pas dorëzimit në stacionin e policisë, Tush Frroku është bastisur nga forcat e rendit. Ai ka thënë se deri tani Frroku nuk është përgatitur të japë një deklaratë lidhur me ngjarjen.
“Kemi ardhë, jemi dorëzu në Pejë. I kam thirrë Policinë, na kanë pritë para dere, kemi hy brenda, e kanë bastisë, ka qenë i paarmatosur. Është mbrojtur në heshtje. Policia e kanë marrë në pyetje por ka thënë se për momentin nuk është i përgatitur me dhënë një deklaratë”, ka deklaruar më tej avokati.
Tush Frroku dyshohet se kishte qëndruar fshehur në një shtëpi të pabanuar në fshatin Burojë të Skenderajt për rreth 8 ditë. Pas dorëzimit, ai është ndaluar për 48 orë, siç parashikohet me ligj.