Avokati i PDK-së: Paditeni ZRrE-në nëse faturat e energjisë elektrike ju vijnë me rritje - NACIONALE

Avokati i PDK-së: Paditeni ZRrE-në nëse faturat e energjisë elektrike ju vijnë me rritje

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Përkundër që Gjykata Themelore ka vendosur për pezullimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ende nuk ka marrë një vendim për këtë çështje. Madje ZRrE ka njoftuar se do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit vendimin e shkallës së parë, duke e vazhduar edhe më tutje me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.

Drejtuesit të ZRrE-së theksuan ditë më parë se ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj, pengon që aktgjykimi i gjykatës të bëhet i formës së prerë. Prandaj, në interpretimin e tyre, vendimi nuk është i ekzekutueshëm.

Për këtë çështje, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të ZRrE-së.

Partia më e madhe opozitare ka dorëzuar kallëzimin penal për moszbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në një prononcim për Gazetën Nacionale, avokati i angazhuar nga PDK, Faton Fetahu, ka sqaruar se për çfarë arsye e paditën ZRrE-në.

“Siç edhe e kam potencuar në Konferencën për medie në prokurorinë speciale, ashtu siç ka paralajmëruar Partia Demokratike, e kemi bërë kallëzimin penal me pretendimin që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës, vendim i cili ka pezulluar vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike”, tha Fetahu.

Tutje, Fetahu thotë se anëtarët e bordit të ZRrE-së me mosveprimin e tyre kanë shkaktuar katër vepra penale për të cilat, sipas tij, duhet të mbahen përgjegjës.

“Në këtë mënyrë, ZRrE-ja me mosveprimin e vet ka shkaktuar katër vepra penale, dhe do të mbahet përgjegjëse. Besoj edhe nga prokuroria të konfirmohen këto pretendime. E para, për veprën penale moszbatim i vendimit gjyqësor, mosekzekutim i vendimit gjyqësor; e dyta, mospërfillja e gjykatës; e treta, keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar; dhe e katërta, të gjithë se bashku me përgjegjësi individuale dhe kolektive, me mosveprim kanë bërë që të veprojnë në bashkëkryerje nga neni 31 i Kodit Penal”, pretendon Fetahu.

Fetahu gjithashtu thotë se anëtaret e këtij bordi kanë bërë “huqje” të madhe ligjore për shkak se nuk kanë ditur të bëjnë dallimin mes aktgjykimit dhe aktvendimit.

Në fund, avokati i Partisë Demokratike bën thirrje që ata qytetarë që e pranojnë faturën e energjisë me rritje, të parashtrojnë padi ndaj ZRrE-së, për shkak se sipas tij, tarifat në rritje janë pezulluar tashmë nga gjykata dhe nuk kanë asnjë bazë ligjore.

“Ata qytetarë të cilët e pranojnë me rritje (faturimin me çmim të shtrenjtuar sipas vendimi të ZRrE-së), veprim që do të ishte në kundërshtim me ligjin, që në vendimin e gjykatës ky vendim është pezulluar, konsiderojmë se po bëhet shkelje dhe u rezervohet e drejta të gjithë qytetarëve të cilët po faturohen pa bazë ligjore që të parashtrojnë Padi ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në mënyrë që të mbahet përgjegjës për dëmet financiare që po i shkakton sepse tarifimi që po e bën nuk ka një bazë ligjore”, përfundoi ai.

Ndërkaq, Bajrush Xhemajli, Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, në konferencën për medie është shprehur se me këtë kallëzim penal po i mbrojnë interesat e qytetarëve të cilat po shkelen nga bordi i ZRrE-së.

Xhemajli akuzoi bordin e ZRrE-së se janë duke e shkelur ligjin me moszbatimin e vendimit të Gjykatës, përkundër detyrimit ligjor për të zbatuar vendimin e gjykatës.

Kujtojmë që muaj më parë, ZRrE mori vendim për rritjen e energjisë elektrike, duke vendosur për tarifat e reja të cilat u kundërshtuan ashpër nga partitë opozitare.

Madje, PSD e udhëhequr nga Dardan Molliqaj, tentoi të ndalonte këtë vendim, duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, e cila protestë solli intervenimin e Policisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme