Avokati i mësuesit që dyshohet për pedofili: Klienti im është deklaruar i pafajshëm
Dy ditë më parë, emisioni shqiptar “Piranja” nëpërmjet një hulumtimi të tyre ra në flagrancë një mësues në pension, Fazli Kikaj, i cili tentoi ta bindte për marrëdhënie intime një vajzë 15-vjeçe, e cila në realitet është gazetare në Shqipëri.
Për gjithë këtë skandal, hetime ka nisur edhe policia e Kosovës. E pas hetimeve, Fazli Kikaj u dorëzua në Polici, teksa Prokuroria e Prizrenit ka vendosur masën prej 48 orësh të paraburgimit.
Në një prononcim për Gazetën Nacionale, avokati i Kikajt, Kushtrim Muqaj, tha se klienti i tij e ka mohuar veprën për të cilën dyshohet.
“Po patjetër, klienti im nuk e ka pranuar veprën për të cilën dyshohet, as me rastin e marrjes në pyetje në Polici po as në seancën për caktimin e masës së paraburgimit, i njëjti është deklaru i pafajshëm, pasi që sipas pretendimit të tij kjo i është orkestrua. Aktvendimin e Gjykatës nuk e kam pranu akoma e përmes mediave/portaleve kam marrë vesh qe klientit tim i është caktu masa e paraburgimit për 1 muaj”, tha ai për Nacionale.
Kujtojmë që të gjeturat skandaloze të hulumtimt u publikuan në emisionin ‘Piranjat’ në ABC, ku përkundër që gazetarja është prezantuar si 15-vjeçare, 76-vjeçari ka bërë biseda erotike me të dhe i ka dërguar fotografi e video të organit të tij gjenital. Ai është takuar më pas me ‘të miturën’ në Prizren, të cilën e ka ftuar në momentin e parë në shtëpinë e tij.
Si nisi e gjithë kjo ngjarje?
E Pedofilia, ky fenomen kaq i tmerrshëm që ndodhet edhe brenda shoqërisë shqiptare, ishte një tjetër temë që u publikua në emisionin “Piranja” në Abc Neës.
Skuadra e “Piranjave” ra në gjurmë të një pedofili 70-vjeçar nga Prizreni, me profesion mësues.
Për ta futur në grackë ‘Agjentja‘ e Piranjave, hap një adresë false në rrjetet sociale duke u shtirur si adoleshente me emrin Kejsi.
Kaq ka mjaftuar që profesor Fazliu, fillimisht t’i bëjë kërkesë miqësie adoleshentes, dhe më pas të nisë me të bisedat erotike, ku nuk kanë munguar as videot apo fotot të organeve të tij gjenitale.
Por skuadra e “Piranjave” e ka të qartë misionin e saj, dhe për ta demaskuar profesorin pedofil, organizon një “ekskursion” i cili do të çonte Kejsin dhe shokët e “klasës” në Prizren.
Sapo mbërrin në Prizren, agjentja e “Piranjave” prezantohet për herë të parë përballë Fazliut, i cili pa e zgjatur e fton në shtëpinë e tij.
Por rrugës nuk do të mungojnë surprizat, pasi agjentja kërkon të hyjë në një lokal për nevojat e saj, e ndërsa Fazliu qëndronte jashtë, nga lokali del gazetarja e “Piranjave”, Aida Topalli, e cila këtë herë i prezantohet zyrtarisht si gazetarja e emisionit investigativ.
Ndërsa gazetarja e pyeste se si ndihej që një person i moshës së tij për më tepër me një profesion mësues në të shkuarën, u vardisej vajzave adoleshente, profesor Fazliu ka ikur si “lepur” ndërsa kërkonte të fikeshin kamerat.
Superskuadra e “Piranjave” fton të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, të demaskojnë këtë fenomen, që pedofilët të mos rrinë jashtë, por pas hekurave.