Avokatët dhe Shoqëria civile kërkojnë transparencë: Pse po mbahet i fshehtë Fondi për Siguri?
Dy vite më parë, Qeveria e Kosovës ka hapur Fondin për Siguri, për të cilën hapen edhe xhirollogarinë bankare, ku qytetarëve iu mundësua kontributi i tyre në këtë fond, mirëpo fondet e mbledhura në Fondin për Siguri hyjnë në kategorinë e informatave që mund të konsiderohet si sekrete, ku rreth kësaj çështje kanë reaguar avokatë dhe shoqëria civile. Çfarë kërkuan ata?
Disa nga organizatat joqeveritare të cilat veprojnë në Kosovë si edhe avokati i njohur, Ardian Bajraktari kanë kërkuar nga qeveria transparencë në lidhje me Fondin e Sigurisë.
Avokati Bajraktari ka bërë me dije se shuma e mjeteve të mbledhura në Fondin për Siguri nuk hynë në kategorinë e informatave që mund të konsiderohet si sekrete.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se institucionet e vendit duhet të marrin para sysh kërkesën e shoqërisë civile për transparencë rreth këtij fondi.
“Të dhënat e mbledhura përkatësisht shuma e këtij fondi nuk hyjnë në kategorinë e informatave, zbulimi i paautorizuar i të cilave do t'i cenonte në çfarëdo shkalle interesat e sigurisë së vendit tonë. Prandaj hapja e tyre, duke i marrë në konsideratë kërkesat ligjore të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, është veprim që duhet bërë institucionet dhe kërkesat e shoqërisë civile, janë tejet legjitime dhe shkojnë në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.” - ka shkruar Bajraktari.
Me një komunikatë të përbashkët për media reaguan edhe katër organizata jo-qeveritare, FOL, IKD, INPO dhe YIHR-KS, kanë kërkuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencinë për Privatësi dhe Informacion, që të hapin të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë.
“Organizatat jo-qeveritare të poshtëshënuara ftojnë Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencinë për Privatësi dhe Informacion që në pajtim me obligimet që dalin nga legjislacioni i aplikueshëm të hapin të dhënat që kanë të bëjnë me Fondin e Sigurisë, duke deklasifikuar këto informata.” – thuhet në komunikatë.
Ndër të tjera, në komunikatë e lëshuar nga shoqëria civile thuhet se paratë e mbledhura konsiderohen si para publike.
“Në rastin konkret, kemi të bëjmë me fonde vullnetare të qytetarëve, të cilët më pas dedikohen vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes. Kështu, në rastin konkret, paratë e mbledhura konsiderohen para publike.” – thuhet ndër të tjera në këtë komuniktë.
Tutje në komunikatë thuhet se organizata civile do të shyrtojnë edhe mundësinë e inicimit të procedurave gjyqësore për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për tu informuar.
“Nëse Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk nxjerr një vendim meritor për këtë rast, OJQ-të e poshtë shënuara do të shqyrtojnë mundësinë e inicimit të procedurave gjyqësore për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për tu informuar.” – thuhet në përfundim.