Averzioni i Konjufcës ndaj konsistencës është konsistent, pse? - NACIONALE

Averzioni i Konjufcës ndaj konsistencës është konsistent, pse?

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Me siguri është rasti që Glauk Konjufca – në nivel teorik po se po – ndjen averzion të thellë ndaj konsistencës si virtyt në politikë. Njëjtë mbase, siç shprehej Ralph Waldo Emmerson-i, konsistencën e sheh si “kufomë të kujtesës që s’kam pse e tërheq zvarrë” teksa shtrone kontrapyetjen me plot nervozizëm: “po, e kontradiktoj veten, pastaj çka?”. Filozofi amerikan që s’donte të qëndronte peng i asaj që kishte thënë dje, thjesht e shpallte të panevojshme: “braktise...si Jozefi pallton në duart e harlotës”. Ta shohim retroaktivisht...

Konjufca, si figurë numër dy në Lëvizjen Vetëvendosje, që nga para-Marrëveshja e Ohrit i kishte vendosur krejt vezët në shportën e një argumenti me një siguri epistemike sikur dy plus që bëjnë katër shprehej se: “Jah, s’e nënshkruan Serbia këtë” sepse “kur ta sheh se çka po jep (njohjen de facto)” në raport me “çka po merr”; një Asociacion si një forum pa-troh-domethënie komunash, ajo do të tërhiqej, e Kosova do të shndërriste fitimtare. Kështu ia kishte paramenduar krejt perspektivën kësaj pune. Sa për Asociacionin, Konjufca në nëntekst e jepte sikur punë që s’bëhet, por në Ohër, Albin Kurti, thoshte ai, shkon me të si me “njëfarë premtimi abstrakt”.

E tëra kjo iu shemb si kështjellë zalli, kur Marrëveshja e Ohrit u konkludua mbi bazën e një pranimi verbal njësoj valide me një ujdi ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të detyrueshme dhe me Nenin 7 të Vetëmenaxhimit; ku Asociacioni s’ishte “premtim abstrakt” por “zotim konkret”; të rivitalizuar për të tretën herë pas 2013 dhe 2015 por tashmë si autonomi politike e territoriale në bazë të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale që ndryshe njihet edhe si kartë evropiane për autonomitë vendore; dhe kjo nga politikanë që kishin ndërtuar karrierën politike mbi premisën e kundërshtimin, zhbërjes, varrimit dhe dërgimit në Komision të Venecias të po asaj marrëveshje.

Megjithatë tregim i vjetër ky, pothuasje para një viti. Kjo ngase me pushtetin e sotëm, (mos)konsistenca peshohet në baza javore; kur kemi shkapërderdshmëri të madhe deklarimesh – thënë më së buti – kontradiktore.

Kur draft-Statuti i Asociacionit u nxorr nga sirtarët amerikano-evropianë dhe u dorëzua në tryezë të Qeverisë së Kosovës, Konjufca ishte i pari që doli – sërish me sigurinë më të lartë epistemike – se ky dokument “është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Aq shumë përputhej me Kushtetutën e Kosovës (i.e: s’përbënte nivel të tretë pushteti, s’kishte karakter pushteti ekzekutiv, dhe s’cënonte karakterin unitar të shtetit) sa që këtë gjë e kishte konstatuar me sa-çel-e-mshel-sytë “me një shikim thjesht sipërfaqësor”. Kur Konjufca që s’është gjykatës i kushtetueses e as në pozitë të eskpertizës e sheh “me një shikim sipërfaqësor...plotësisht në përputhje me Kushtetutën” pse të brengoseshim për diçka që ishte aq-kollaj e konstatueshme?

Por, tashmë në konsistencën e thyeshme në harqe kohore disa javore, Konjufca do t’i mëshonte saktësisht këtij konstatimi të tij, vetë ai. Në një intervistë në Rubikon ai iu kthye gazetarit Adriatik Kelmendi kështu: “Çka je tu fol more, po ku zbatohet ai draft?”.

Aty njoftoi se jo sipërfaqësisht më, por pasi e lexoi thellësisht “nja dy-tri ditë” kishte ardhur në konkluzione krejt tejra. “Është i dëmshëm drafti. Arbitrazhi aty është krejt skandaloze. Ka shumë pika të dëmshme aty”, tha Glauk Konjfuca.

BE-së, tha Konjufca aty, autoritetet kosovare ia thonë një gjë: “Falemnderit për këshillat miqësore...por nëse këto janë këshillat e juaja atëherë ‘falemnderit shume’”.

Pse m’e zbatu Kosova?”, pyeste Konjufca, ndërsa konkluzioni i tij ishte që “BE nuk ka kompetencë me shkru draft përneve”.

Kosova s’ka asnjë obligim ndaj draftit të BE-së. Se BE s’mundet me i marrë kompetencë Kosovën. BE mendon që ne jemi vonu. Veçse të kallxoj diçka. Nëse jemi vonu ne, jemi vonu 1 vjet, e ata (qeveritë paraprake) para neve 8 vjet e gjysme”.

Shumë e dëmshme, e rrezikshme për integritetin dhe karakterin e shtetit tonë me të shku draft të Asociacionit BE-ja. S’munden”, pohonte aty Konjufca.

Konstienca – konkludueshëm – është jokonjufciane, ndërsa aversioni ndaj saj, konjufcianizëm konsistent.

Shpirtmëdhenjtë s’kanë gjë të bëjnë me konsistencën. Sepse, atëherë, të merren pra më mirë me hijet e tyre në mure. Sot thuaje atë që mendon në fjalët më të forta dhe nesër thuaje përsëri atë që e mendon e nesërmja po ashtu në fjalët më të forta, qoftë kjo edhe kundërthënja më e madhe e asaj që the sot”, thoshte Emerson-i indinjant ndaj nevojës për të përkuar me veten e djeshme. Mbase mund të kishte qenë duke menduar edhe për Konjufcën.

Në politikë, politikani na fton ta mbajmë për fjale; mosmbajtja e fjalës ndëshkohet në votë; ndërrimi i fjalëve përkthehet në mashtrim; konsistenca supozohet të jetë virtyt.

Lajme të ngjashme