Avdullah Hoti s'e mohon mundësinë e kandidimit për kryetar të LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës është në një proces zgjedhor të brendshëm. Deri më tash, kryetari aktual Lumir Abdixhiku duket se është nga kandidatët e vetëm që zyrtarisht ka shpallur kandidaturën për kryetar.
E për këtë temë, ka folur edhe deputeti Avdullah Hoti.
Deputeti i LDK-së ka folur për zgjedhjet e brendshme të LDK-së, të cilat tashmë kanë filluar.
Ai as nuk e ka pohuar e as mohuar kandidimin për kryetar të LDK-së.
“Kur të caktohet Kuvendi zgjedhor, sipas statutit, atëherë do të prezantohen kandidaturat. Pra, në këtë moment kohor ende nuk është momenti as për mua dhe për askënd tjetër që të prezantoj kandidaturën”, është shprehur Hoti për Nacionalen.
Ai ka thënë se ka menduar mirë për këtë çështje, por vendimin do ta bëj publik në momentin e duhur.
“Besoj se do ta bëj të qartë për anëtarët e LDK-së dhe për publikun, por për anëtaret e LDK-së në veçanti vendimin tim”, ka thënë ai.
Ish-kryeministri Hoti është shprehur optimist lidhur me rezultatin e LDK-së për zgjedhjet e ardhshme.
Ai ka thënë se për shkak të opozitarizimit të mirë dhe gabimeve të Qeverisë Kurti, LDK-ja do të jetë prapë në krye të institucioneve të Kosovës për t`i përmbyllur disa procese të rëndësishme.
“Jam i bindur se vitin tjetër, sepse tash jemi gati një vit në zgjedhje, do të marrin mbështetjen e nevojshme për të çuar proceset përpara, sepse është e qartë se LDK-ja do të jetë prapë në krye të institucioneve për të përmbyllur procesin e dialogut dhe procesin euro-integrues të Kosovës”, është shprehur Hoti.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti edhe për qasjen në procesin e dialog.
Ai ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë përben një moment të ri në procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
“Besoj se tani është një moment i ri në proces të dialogut dhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me fqiun tonë veriore. Se dyti, unë pres nga lidershipi i Kosovës që të jetë i kujdesshëm, sepse në fund të fundit ne nuk kemi opsion tjetër, përveçse dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve. Dhe e treta, shpresoj që kësaj radhe janë mbushur mend, kanë reflektu mjaftueshëm që veprimet institucioneve të shtetit duhet të ndërmerren gjithmonë në koordinim me aleatët”, është shprehur ai.
Ish-kryeministri ka shprehur drojën e tij se institucionet e Kosovës nuk po e shfrytëzojnë sa duhet këtë moment të ri në proces.
Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti po vazhdon ta përdor këtë proces për politika të brendshme.
“Fatkeqësisht, kjo qeveri e ka përdorur procesin e dialogut për politika të brendshme, e kanë përdorur edhe 10 vite sa kanë qenë në opozitë, duke i sharë qeveritë paraprake edhe me mjete jo demokratike dhe jo kushtetuese për të penguat procesin e dialogut, i cili natyrshëm do të çonte tek marrëveshje finale për njohje”, ka thënë Hoti.
Duke e komentuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri, ai e ka dënuar atë, duke e bërë përgjegjës Serbinë.
Megjithatë, ai ka kërkuar disa sqarime nga institucionet e Kosovës.
Hoti ka thënë se Qeveria duhet të tregojë se si janë futur në Kosovë dhe si kanë dalë nga vendi gjithë terroristët.
