(Audio) Kraki lëshohet në kërcënim ndaj gazetarit të Nacionales pasi iu kërkua të dëshmojë se ka titull PhD dhe disertacion - NACIONALE

(Audio) Kraki lëshohet në kërcënim ndaj gazetarit të Nacionales pasi iu kërkua të dëshmojë se ka titull PhD dhe disertacion

1 vit më parë

nga NACIONALE

  • “Ruaju prej shpifjes, se njerëzit as nuk ta falin as nuk ta harrojnë, hajt!”

Mësimdhënësi i angazhuar me orar-jo-të-plotë në një shkollë të lartë në Paris – UPEC, Université Paris-Est Créteil – Nezir Kraki, u lëshua në kërcënim ndaj gazetarit të Nacionales, Xhezair Dashit, pasi ky i fundit i kërkoi konfirmim zyrtar për një gjë mëse elementare dhe me të cilën ai identifikohet orë-e-minutë: kredencialet e tij akademike.

Nacionale: A keni titull doktorati (PhD) dhe dizertacion doktorate?

Repozitori kombëtar francez "Theses.Fr" – zyrtar, që ka markën e Ministrisë së Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor të Francës – nuk prodhon asnjë rezultat kur kërkon emrin e Nezir Krakit. Ky repozitor zyrtar liston “të gjitha tezat e doktoratave të mbrojtura në Francë që nga viti 1985, si dhe të gjitha temat e përgatitura në institucione të Arsimit të Lartë me njerëz të përfshirë në hulumtime doktorale në Francë”.

Kraki u përgjigj se “nuk kam pse” të përgjigjet dhe as të konfirmojë gjë. P0r, na tha ai, “kam dizertacion 480 faqësh”.

Nacionale: Atë po e kërkoj (për konfirmim)

Kraki: Ti po don me lexu dizertaconin tim në frengjisht?

Nacionale: Po.

Kraki: Nëse angazhohem një ditë në Universitet të Prishtinës, në bazë të rregullave atje, dizertacioni do të jetë në faqen e UP-së i përkthyer. Për momentin jam veç deputet dhe për aty nuk duhen dizertacione doktorale.

Nacionale: Pse atëherë nuk është në faqen e universitetit tuaj dhe në platformën kombetare Theses.fr - sipas të njëjtës logjike?

Kraki ndërroi temë: kërkesën për të dëshmuar se “KA” ose s’ka këtë titull dhe dizertacion e interpretoi për dashakeqësi në anën e mediumit.

“Ti shkruaj çka të duash se askush nuk habitet më në Kosovë me ato që dalin në Nacionale", tha Nezir Kraki.

Me kaq e mbyllëm kërkimin ndaj Krakit, për t’iu drejtuar me email universitetit ku është i angazhuar Kraki dhe vetë Ministrisë së Arsimimit të Lartë të Kërkimit Shkencor.

Por, këtu ndodhi diçka.

Kraki dërgoi një mesazh zënor: dhe fundi ishte kërcënues.

Po e përcjellim verbatim në tekst dhe audio.

Kraki: “Nuk e keni idenë qysh funksionon Franca, as s’keni lidhje me këtë punë dhe çoheni tash. Hajt mor burrë, që thojmë ne në Junik: ‘Rri para kijeve, rri para kijeve o burrë’. Edhe shpifjes munesh me ia pa sherrin një ditë, apo kupton? Shpifjes gratis. Se njerëzit nuk harrojnë, dhe as nuk ta falin. Hajt!”.

Nacionale është në pritje të përgjigjeve zyrtare nga universiteti ku është Kraki i angazhuar dhe nga Ministria e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor në Francë: meqenëse konfirmimet e kërkuara nuk i dha. Pyetjet janë të natyrës elementare: Titulli PhD i Krakit dhe dizertacioni i doktoratës së tij.

“Unë jam profesor në Francë”, është lajtmotivi që e këndon në baza ditore publikisht zoti Nezir Kraki, dhe rrjedhimisht konfirmimi zyrtar i kredencileve dhe blueprint-ev të tij akademike do të duhej të ishte gjëja në normale. Nacionale do të pres konfirmimet nga instancat më të larta në Francë për çështje të arsimit për t’i dhënë epilog kësaj dileme.

Lajme të ngjashme