“Asociacioni” – Qeveria i nxjerr ‘dhëmbët’ e Zulfajt komisionarit të BE-së, lëshohen në leksione ndaj tij
Nuk ka gati se asnjë fjalë që zyrtarë evropianë e ndërkombëtarë e thonë për Kosovën që s’e shoqërojnë me: themelojeni Asociacionin.
Pluhuri i kushtëzimit me miratimin e draft-Statutit të Asociacionit assesi s’po i shkundet këmbësh qeverisë kosovare në rrafshin ndërkombëtar, kur i fundit për ta kërkuar ishte Komisionari Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, hungarezi Oliver Varhelyi-i.
Kushtëzimi më i fundit ndaj Kosovës është vetë përfitimi dhe pjesëmarrja në Fondin 6 milardësh të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, e ku Kosova supozohet të merr diku mbi 900 milionë euro.
Kusht për Kosovën është “angazhimi konstruktiv” në dialog, që përkthehet në: miratojeni draft-Statutin e Asociacionit dhe dërgojeni për rishikim kushtetues.
Se kështu është çështja është konfirmuar nga vetë ndërmjetësi evropian, Miroslav Lajçak, i cili duhet të dërgojë komentet për “konstruktivitetin e palëve” përmes Komisionerit, Varhelyi; që palët të mund të kenë qasje në ato fonde.
E saktësisht në dritën e kësaj, Varhelyi sot iu referua dialogut Kosovë-Serbi – që për të dyja përbën rrugën e pakapërcyeshme për çfarëdo progresi drejt BE-së – që palët të përmbushin zotimet. E Kosovës? Asociacionin.
Komisioni ka filluar procesin e brendshëm të vlerësimit të agjendave të reformave të udhëhequra nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, tha ai, dhe se tash është duke u zhvilluar faza përfundimtare për dorëzimin e propozimeve në Këshillin e BE-së për miratim.
Qeveria e Kosovës këtu nxori ‘dhëmbët’ e këshilltarit Jeton Zulfaj, këshilltar ky tash i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,
Zulfaj – që në CV-në e tij politike e ka të shquar një panegjirik (lavdatë ekstravagante) të madh për Nismën Socialdemokrate – i tha Varhely-it të shoh punët e tij, e jo dialogun.
Se Kosova ka hyrë në obligime ndërkombëtare dhe ka kushtëzuar krejt shtigjet evropiane të saj me Asociacionin (Marrëveshja e Ohrit) për Zulfajn përbën veç “sugjerim” të Varhely-it.
“E pash sugjerimit tuaj zoti Varhely, mbi Asociacionin në Kosovë, pa e përmendur Marrëveshjen Bazike...”, shkroi Zulfaj.
E këtu, tha ai, ka “njohje të ndërsjellë”.
Në Marrëveshjen Bazike, Kosova ka pranuar në rend të parë të mos ia “paragjykojë statusin” vetes; që për shumëkënd ka përbërë një ndër aspektet më shqetësuese juridike: ku qysh në Preambulë rrjedhon neutraliteti ndaj Statusit të zgjidhur me Pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe konfirmin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010.
Në këtë marrëveshje, madje s’flitet as për kufinj (borders) por shënohet si “frontiers” që shënon njëfarë zone e ndarë (si term i Luftës së Parë Botërore) por pa terminologji juridike ndërkombëtare.
Këtu Zulfaj vazhdoi t’i tregojë Varhely-it cila është e cila nuk është punë e tij.
“Mbase për ty më mirë është të përqendrohesh në Zgjerimin e Bashkimit Evropian pasi që dialogu në Bruksel është portofol i tjetër kujt”, ka shkruar Zulfaj në replikën e tij.
Se zbatimi i marrëveshje është lidhur edhe me vetë këtë Fond të BE-së na pati thënë edhe vetë ndërmjetësi evropian, Miroslav Lajçak. Pyetur nga Nacionale prerazi “a është a po nuk është kusht” zbatimi i Marrëveshjes Bazike, Lajçak na pati thënë prerazi se “Po”.
“Po. Një nga parakushtet që Kosova dhe Serbia të përfitojnë nga mbështetja në kuadër të Instrumentit të Planit të Rritjes është që ato të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, t’i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe i gjithë Dialogu i shkuar, si dhe të lansojnë negociata për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, pati thënë Lajçak.