Asociacioni, njohja de-facto: Takimi i Kurtit me liderët evropian, kryetema e javës - NACIONALE

Asociacioni, njohja de-facto: Takimi i Kurtit me liderët evropian, kryetema e javës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të enjtën me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, me kryeministren italiane, Giorgia Meloni dhe me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Mirosllav Lajçak, ishte tema kryesore e javës që po e lëmë pas.

Liderët evropian nga Kosova kërkuan themelimin e Asociacionit ndërsa nga Serbia kërkuan njohjen “de facto” të Kosovës.

Në takim u diskutuan hapat përpara drejt zbatimit të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, ku ndër të tjera është prezantuar edhe një draft-statut i Asociacionit, që sipas autoritetve kosovare, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por edhe do të verfikohet nga Gjykata Kushtetuese.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë pas takimit me liderët evropian.

Në takimin e 21 tetorit, nga emisarët amerikanë dhe evropianë na është thënë që drafti për vetëmenaxhim që e kanë sjellë është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej, aty do të parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje” – deklaroi Kurti dje në konferencën për medie.

Ndërsa pas takimit, kabineti i kancelarit gjerman, Olaf Scholz ka lëshuar një deklaratë të përbashkët për takimet e tyre me Kurtin dhe Vuçiqin.

Në deklaratën e publikuar nga kabineti i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, fillimisht thuhet:

Ne, Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentja e Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane, Giorgia Meloni, së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, u takuan me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Këshillit Evropian më 26 tetor 2023”.

Liderët e shteteve më të fuqishme në Evropë, kanë mirëpritur angazhimin e dy palëve. Derisa deklaruan se “e marrin parasysh gatishmërinë e Kosovës e Serbisë për ta zbatuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Mirëpresim angazhimin e dy palëve në diskutimet e djeshme në Bruksel. I marrim parasysh komentet e dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë për Statutin Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar. Draft statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”.

Të dyja palët, sipas tyre, duhet të përmbyshin detyrimet e tyre hap pas hapi, dhe duhet “të bëjnë diçka, për të marrë diçka”.

Prandaj, ne nënvizojmë edhe një herë pritshmërinë tonë që palët të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa” – thuhet tutje.

Kosovës, i është kërkuar mes tjerash që të fillojë procedurat për themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë i kërkohet njohja de-facto ndaj Kosovës.

Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë siç është përshkruar në draft Statut dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto. Formalitetet, duke përfshirë edhe miratimin, nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje.

"Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme.” – thuhet në fund.

Ndërkohë, në Kosovë, Kurti është kritikuar nga partitë opozitare për mungesë të transparencës lidhur me takimet që ka pasur në Bruksel.

Lajme të ngjashme