Asociacioni në Kushtetuese, Hovenier te Osmani
Në ditën kur Kosova ka premtuar se në fund të majit do të dërgojë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier i ka shkuar në takim presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Burime të Nacionales tregojnë se ky takim është duke u zhvilluar aktualisht.
Nuk dihet nëse pas të njëjtit, do të ketë deklarim për media.
Kosova premton dërgimin e një drafti tjetër në Kushtetuese
Mëngjesin e së enjtes, kryediplomatja Donika Gërvalla njoftoi se i ka nisur një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zotohet sërish së Qeveria e Kosovës do ta zbatojë obligimin për Asociacionin.
Veç kësaj, Qeveria e Kosovës ka premtuar dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese der në fund të muajit maj.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (në kuadër të obligimeve të parapara në nenet 7 dhe 10), të frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024.” – thuhet mes tjerash në letrën e Gërvallës.
Ndërkohë, sot e nesër Komiteti i Ministrave të KiE-së pritet të mbajnë mbledhjen e radhës. Kosova nuk është vendosur në agjendën e takimit.
Javën që lamë pas, kryeministri Kurti njoftoi se Qeverisë i është vënë një kusht i ri për anëtarësim, e që është zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pengesat për anëtarësim i mendonim nga shtete që s’e njohin Kosovën, por assesi e asnjëherë s’e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim.” –kishte thënë Kurti, derisa njoftonte për kushtin në fjalë.