Asociacioni, masat, Lajçaku: Çka tha Escobar në intervistën e fundit?
Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka dhënë sërish një intervistë relativisht të gjatë. Kësaj radhe ai foli në Radio Evropën e Lirë, por temat ishin pak a shumë të njëjta sikruse në intervistën për “Zërin e Amerikës”: dialogu, Asociacionit, masat, Lajçak. Çka tha Escobar?
Në intervistën e publikuar në REL, Escobar tregoi se po i kërkojnë Kosovës të jetë më konstruktive, teksa shtoi se është pak i shqetësuar për mesazhet që vijnë nga Prishtina. Megjithatë, Lajçak vlerësoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë.
“Shikoni, në këtë moment nuk ka alternativë përveç dialogut. Pra, e rëndësishmja për të dyja palët është që të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut. Tani, jam i sigurt që e keni parë deklaratën e z. Borrell [Josep]. Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë.” – theksoi Escobar për REL, transmeton Nacionale.
Tutje, Escobar deklaroi se pala kosovare duhet të jetë më pragmatike, një kërkesë që ishte theksuar edhe në intervistën për Zërin e Amerikës.
“Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë, ajo që po përpiqet të bëjë BE-ja është krijimi i kushteve për normalizim dhe, gjithashtu, për harmonizimin për integrim në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë. Pra, mendoj se përgjigjja është që të dyja palët t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala kosovare të tregojë më shumë pragmatizëm dhe më shumë realizëm në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian.”- deklaroi ai.
Gjatë intervistës në REL, Escobar u pyet edhe për masat e mundshme të reja ndaj Kosovës dhe nëse ShBA-ja po shqyrtonte masa të mundshme ndaj të dyja palëve (Kosovës dhe Serbisë. Dhe përgjigja e Escobarit ishte si vijon:
“Nuk do të thosha masa. Do të thosha pasoja. Tani, ju them se pasojat, me të cilat ballafaqohet Kosova, është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian, Bashkimi Evropian nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim.”
Në përgjigjen e tij, Escobar deklaroi se masat janë duke pasur ndikim në ekonominë e Kosovës, ndërsa shtoi se “shpreson” që masat të hiqen në vitin 2024.
“Shikoni, unë mendoj se këto masa janë duke pasur ndikim në Kosovë dhe në ekonominë e Kosovës. Shpresoj që të paktën në mënyrë bilaterale, Shtetet e Bashkuara të mund të punojnë me Kosovën për të gjetur një mënyrë për t'i hequr ato masa në vitin 2024. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë me Kosovën për ta afruar me Bashkimin Evropian. Por, ne do të kishim dëshirë të shihnim një vullnet politik dhe lëvizje në atë drejtim, gjithashtu.” – shtoi z. Escobar.
Ai e përsëriti kërkesën për themelimin e Asociacionit, duke theksuar se nuk do të jetë Republikë Serbe.
“E kemi thënë vazhdimisht se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të krijojë probleme brenda Kosovës për funksionalizim, duhet të jenë në përputhje me Kodin e saj ligjor, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Pra, brenda kësaj, unë ende mendoj se ka një kapacitet të madh për t’i lejuar serbët të menaxhojnë shërbimet e tyre komunale në një mënyrë që u përshtatet më së miri qytetarëve të tyre, pa u bërë Republikë Sërpska. Ne e kemi adresuar atë në mënyrë të përsëritur. Dhe, jam i zhgënjyer që ajo pikë bisede vazhdon të ngrihet - se kjo do të jetë Republika Sërpska. Nuk do të bëhet [një Republikë Sërpska]. Me të vërtetë bëhet fjalë për autoritete komunale që bëjnë atë që komunat tashmë e bëjnë në gjuhën serbe.” – sqaroi Escobar.


