Asociacioni, de-eskalimi në veri: Çka thuhet zotimet që Kurti, Osmani e Konjufca ia dhanë Bakojanisit?
Gazeta Nacionale ka publikuar eksluzivisht zotimet që tre krerët e shtetit, Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca, kanë dhënë për Dora Bakojanis, raportuese për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Më saktë, Kurti, Osmani dhe Konjufca kanë dhënë 17 zotime. Çka thuhet në zotimet e tri kokave udhëheqëse të Kosovës?
Ndoshta zotimi më i madh është ai për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në fakt, tre liderët institucionalë janë pajtuar se do të zbatohet marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit. Në letrën e tyre, Kurti, Osmani e Konjufca zotohet se do të ketë hapa substancionalë dhe të prekshëm për Asociacionin, që përfshihet në marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit.
“Të bëjmë hapa substancialë e të prekshëm me synim të zbatimit të të gjitha neneve të Marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit, që e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundshme” – shkruhet në letrën e tre krerëve të Kosovës.
Në letrën e Kurtit, Osmanit e Konjufcës flitet edhe për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.
“Të merren të gjitha masat për de-eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe të përmbahemi nga vendimet që mund t’i prekin të drejtat dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb dhe që çojnë në përkeqësim të mëtejmë të situatës së sigurisë” – shkruhet tutje aty.
Në letër, Kurti, Osmani e Konjufca zotohen që të përmbahen nga përdorimi i policisë speciale në veri për detyra të zakonshme.
“Të merren masa urgjente për ta promovuar riintegrimin e serbëve të Kosovës në forcën policore, gjyqësor dhe prokurori në veri të Kosovës;
- Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore, të sigurohemi se ato dislokohen vetën në rast nevoje, dhe ta shtojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in.” – shkruhet tutje.
Njëra nga zotimet lidhet me Manastirin e Deçanit.
“Të sigurohemi që shpronësimet të kryhen sipas respektimit më të rreptë të ligjit dhe se çfarëdo legjislacioni i ardhshëm në këtë fushë të jetë në përputhje të plotë me Planin e Ahtisarit, përfshirë fushën e mbrojtjes së pronave të Kishës Ortodokse Serbe; të amendamentohet sipas rrethanave draft-ligji për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme, i cili është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, sa më herët që është e mundshme” – vazhdon letra e Kurtit, Osmanit e Konjufcës.
Një nga zotimet është mjaftueshëm cinik. Kurti, Osmani e Konjufca janë pajtuar që të përmbahen nga kritikat e tepruara që minojnë besimin në gjyqësor. Ky zotim shkoi një ditë pasi Kurti e sulmoi ashpër Gjykatën Kushtetuese gjatë një interviste për RTK.
“Të respektohet plotësisht pavarësia e gjyqësorit përfshirë përmbajtjen nga kritikat e tepruara që e minojnë besimin në gjyqësor;
Të vazhdohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” – shkruhet në letër.
Në fund, kryeministri, presidentja dhe kryekuvendari janë zotuar se do të
“Të vazhdojmë që të angazhohemi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe t’i respektojmë zotimet dhe obligimet e ndërmarra si pjesë e tij;
Të bëjmë përpjekje të sinqerta në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë;
T’i zgjidhim mosmarrëveshjet ndërkombëtare në mënyrë paqësore dhe t’i promovojmë marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajon.” – përfundon letra.